Hyri si pacient, por nuk doli të jetë i tillë.
Ky person vendosi të vjedh paratë nga arka e kësaj barnatoreje në Pejë, një ditë më parë.
Përkundër rezistencës së punëtores, e cila edhe u sulmua fizikisht, hajduti ia doli t’i marrë paratë.
Ai është identifikuar nga Policia e Kosovës, por vazhdon ende të jetë në arrati.
“Personi i dyshuar është ikur menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërkaq janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, ku prokurori i shtetit ka bërë kërkesë në gjykatën kompetente të bastiset shtëpia e tij, me që rast i njëjti është identifikuar janë siguruar rrobat, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm, me që rast është në arrati mirëpo jemi duke punuar të arrestohet edhe pastaj të paraburgoset”, ka deklaruar Shkodran Nikqi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.
Shuma e parave të marra ende nuk dihet me saktësi, derisa nuk jepen detaje as se sa persona të tjerë janë të përfshirë në rast.
“Është marrë një shumë e konsiderueshme e parave mirëpo kjo pjesë është konfidenciale, derisa i njëjti të arrestohet dhe të sigurohet prezenca e tij në procedurë penale”, ka theksuar Nikqi.
Hollësi nuk dhanë as nga Policia, ani se ata konfirmuan se ishin të përfshirë dy persona.
“Viktima mashkull kosovar, punëtor në një barnatore ka njoftuar se dy persona të panjohur kanë grabitur nga arka një shumë parash dhe kanë ikur në drejtim të panjohur. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti duke u hetuar”.
Ndërkaq, barnatorja ku ndodhi ngjarja, këtë të shtunë ka vazhduar punën.
Pronari i barnatores nuk ishte prezent derisa ne qëndruam këtu lidhur me atë se çka ndodhi në barnatoren e tij, mirëpo televizioni mëson se biznesi i tij nuk ishte i vetmi që në këtë lagje ishte cak i vjedhjeve një ditë më herët.
Por, në raportin e policisë, nuk është përfshirë ndonjë rast tjetër, pos grabitjes së barnatores.