Pesë persona janë arrestuar nga Policia nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme të shitblerjes së substancave narkotike, në kuadër të një operacioni të koduar “Driver”, që u zhvillua pas një hetimi disa mujor në Prishtinë e Podujevë.
Sipas njoftimit t Policisë, dy prej të dyshuarve janë arrestuar në flagrancë, ndërsa tre të tjerë u kapën në një aksion të ndarë pas një pune operative të njësive relevante.
Gjatë bastisjeve të kryera në tri lokacione – në fshatin Dumosh të Podujevës, në Podujevë dhe në Prishtinë – janë sekuestruar sasi të ndryshme të substancave narkotike, përfshirë heroinë, kokainë dhe marihuanë. Po ashtu, janë konfiskuar para të gatshme, telefona mobilë, njësi për matje të drogës dhe dy automjete.
“Janë kapur rreth 810 gramë heroinë, mbi 130 gramë kokainë dhe disa gramë marihuanë. Në aksionin tjetër, ku u arrestuan tre persona të tjerë, policia ka sekuestruar rreth 12 gramë marihuanë, një peshore precize, katër telefona dhe një shumë të vogël parash”, thuhet në njoftim.
Me vendim të prokurorit, dy nga të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa dy të tjerë janë dërguar në mbajtje pas intervistimit. I dyshuari i pestë është liruar në procedurë të rregullt.