Zjarri që përfshiu fshatrat Kalasë, Tatzat, Senicë, Vergo, Kopaçëz dhe Palavli, në Njësinë Administrative Vergo, bashkia Delvinë, vijon të jetë aktiv. Vatra kryesore ndodhet aktualisht në kodrën përballë fshatit Palavli, si dhe në zonën sipër baxhos në fshatin Kopaçëz, ku dyshohet se flakët mund të jenë përhapur edhe në malin mbi Borsh.
Si masë sigurie, rreth 2.000 banorë nga gjashtë fshatrat e prekur janë evakuuar një ditë më parë, për të shmangur rrezikun ndaj jetës dhe pronës.
Sipas të dhënave paraprake, janë djegur 11 banesa, si dhe kisha e fshatit Senicë, Shën Dhimitri. Dëmet materiale përfshijnë gjithashtu sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore, pemëtari, ullishte dhe blegtori.
Tre persona kanë pësuar djegie si pasojë e përhapjes së flakëve, ndërsa autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencës janë në terren për të vlerësuar situatën dhe për të mbajtur nën kontroll vatrat aktive të zjarrit.