Hamas kushtëzon ndihmën për pengjet me ndaljen e bombardimeve dhe hapjen e korridoreve humanitare

Hamas deklaroi të dielën se është i gatshëm të bashkëpunojë me Kryqin e Kuq për t’u siguruar ndihma pengjeve që mban në Gaza, nëse Izraeli përmbush disa kushte: ndalimin e sulmeve ajrore dhe hapjen e korridoreve humanitare të përhershme.

Deklarata e Hamasit vjen pas publikimit të një videoje tronditëse të pengut izraelit Evyatar David, ku ai shihet tepër i dobësuar, duke gërmuar një varr që, sipas tij, është për veten. Pamjet ngjallën reagime të ashpra nga fuqitë perëndimore, përfshirë Francën, Gjermaninë, Britaninë dhe SHBA-në, të cilat e dënuan publikisht videon.

Sipas autoriteteve izraelite, aktualisht 50 pengje ndodhen ende në Gaza, por besohet se vetëm 20 prej tyre janë gjallë. Hamas deri më tani ka refuzuar t’u japë qasje organizatave humanitare dhe familjet kanë shumë pak informacion për gjendjen e të afërmve të tyre.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se i ka kërkuar Kryqit të Kuq të ndihmojë pengjet me ndihmë humanitare. Ndërkohë, Forumi i Familjeve të Pengjeve reagoi duke thënë se deklaratat e Hamasit “nuk e fshehin faktin se ka mbajtur peng njerëz të pafajshëm në kushte çnjerëzore për më shumë se 660 ditë” dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të tyre.

Nga ana tjetër, kriza humanitare në Gaza po thellohet. Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se edhe gjashtë persona të tjerë vdiqën nga uria apo kequshqyerja në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin total të viktimave në 175 – përfshirë 93 fëmijë – që nga nisja e luftës.

Izraeli lejoi një dërgesë të karburantit në enklavë, ndërsa sipas mediave egjiptiane, dy kamionë me 107 tonë naftë pritet të hyjnë në Gaza, ndonëse kjo nuk është konfirmuar ende zyrtarisht. COGAT, agjencia ushtarake izraelite që koordinon ndihmën, tha se katër cisterna me karburant të OKB-së janë futur për të ndihmuar spitalet, furrat, kuzhinat publike dhe shërbime të tjera jetike.

Që nga muaji mars, furnizimet me karburant kanë qenë të rralla, pasi Izraeli kufizoi ndihmat për të ushtruar presion mbi Hamasin për lirimin e pengjeve. Megjithatë, pas reagimeve të forta ndërkombëtare, Izraeli ka marrë disa hapa për të lehtësuar situatën, përfshirë pauza të përditshme të luftimeve në zona të caktuara dhe krijimin e rrugëve të mbrojtura për konvojet e ndihmave.

Agjencitë e OKB-së thonë se hedhja e ndihmave nga ajri nuk është e mjaftueshme dhe kërkojnë rritje të ndihmave tokësore për të shmangur një urie masive në mesin e 2.2 milionë banorëve të Gazës, shumica e të cilëve janë të zhvendosur dhe jetojnë mes rrënojave.

COGAT njoftoi se gjatë javës së fundit, mbi 23,000 tonë ndihma humanitare janë futur në Gaza përmes 1,200 kamionëve, por qindra prej tyre ende nuk janë shpërndarë nga OKB-ja dhe organizatat e tjera.

Ndërkohë, forcat ajrore belge nisën të dielën hedhjen e ndihmave nga ajri në Gaza në bashkëpunim me Jordaninë, ndërsa Franca kishte nisur një operacion të ngjashëm ditë më parë duke hedhur 40 tonë ndihma humanitare./Reuters

Shija e redaktorit

Pas raportimit të Dukagjinit, 3 donatorë i dalin në ndihmë...

Gjendjes së rënduar të familjes Krasniqi në Llukar e për të cilën raportoi ditë më parë Dukagjini, i kanë dal në ndihmë disa qytetarë...

Muajt vendimtar, mbrojtja e ish krerëve të UÇK-së nis me...

Nga sot e deri në gusht Dhomat e Specializuara për Kosovën, do jenë në pushim veror. Por ndonëse kthimin në punë, të njëjtit do e...

Rama nënshkruan vendimin: Banesat komunale për familjet e dëshmorëve, në...

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar sot se ka nënshkruar një vendim që garanton siguri afatgjatë për familjet e dëshmorëve të...

Të fundit nga rubrika