Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në vrasjen e ndodhur në fshatin Baicë të Lipjanit.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, konfirmoi për Dukagjinin se i arrestuari është T.K., shtetas i Kosovës, i cili u ndalua të martën, më 12 gusht, nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë.
“Si rrjedhojë e angazhimeve intensive hetimore, sot është arrestuar një person i dyshuar – T.K., mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, për rastin e vrasjes që ka ndodhur në fshatin Baicë të Lipjanit”, deklaroi Ahmeti.
Ajo shtoi se hetuesit po vazhdojnë procedurat e nevojshme policore në koordinim me prokurorinë.
Rasti lidhet me ngjarjen e 4 gushtit, kur Policia gjeti një trup të pajetë të groposur në një arë në Baicë. Viktima u identifikua si Enver Bajraktari.