Eugen Cakolli nga Instituti për Krizë dhe Demokraci (IKD), ka reaguar pas emërimit të anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mentor Hyseni, si drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
Sipas Cakollit, ky emërim është një shembull i qartë i kapjes së institucioneve publike dhe rrezikon ta shndërrojë ATK-në në një instrument politik për presione të caktuara.
Ai ka shtuar se veprimi i Hysenit tregon vazhdimësi të shkeljes së kufizimeve ligjore mbi kompetencat e një qeverie në detyrë dhe përbën mosrespektim të hapur të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Supreme.
“Pas serisë së shkeljeve kushtetuese e ligjore, sot kemi një hap tjetër në vendosjen e njerëzve të LVV-së në krye të institucioneve kyçe të vendit – institucione që do të duhej të ishin të pavarura nga ndikimet politike. Emërimi i një ish-kandidati për deputet në krye të Administratës Tatimore të Kosovës është shembulli tipik i kapjes së institucioneve publike. Edhe më shqetësuese, ky veprim rrezikon ta shndërrojë ATK-në në instrument politik për presione të caktuara”, ka deklaruar ai.
Ai ka theksuar se, mbi të gjitha, ky vendim rrezikon funksionimin e pavarur të ATK-së dhe është një sinjal shqetësues për pavarësinë e institucioneve publike në vend.