Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lavdëruar liderët evropianë pak orë para një takimi virtual që do të mbahet të mërkurën, në prag të samitit Trump–Putin, i cili do të zhvillohet të premten në Alaskë.
Në një postim në “Truth Social”, Trump shkroi se udhëheqësit evropianë dëshirojnë arritjen e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës në Ukrainë.
“Do të flas me udhëheqësit evropianë pas pak. Ata janë njerëz të shkëlqyer që duan të shohin një marrëveshje të arritur”, tha ai.
Sipas BBC-së, liderët e vendeve të BE-së dhe NATO-s, si dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të zhvillojnë fillimisht një takim virtual në orën 14:00 sipas kohës së Kosovës.
Më pas, rreth orës 15:00, atyre do t’u bashkohen presidenti Trump dhe zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance.
Rreth orës 16:00, kancelari gjerman, Friedrich Merz – i cili e ka thirrur takimin – dhe presidenti ukrainas, Zelensky, pritet të mbajnë një konferencë për media.
Zelensky ka mbërritur të mërkurën në mesditë në Berlin, ku është pritur nga kancelari Merz.
Zelensky dhe udhëheqësit evropianë do të flasin me Trumpin në prag të takimit të tij me Putinin