Autoritetet serbe kanë njoftuar për arrestimin e dy shtetasve shqiptarë në pikën kufitare Horgosh, mes Serbisë dhe Hungarisë, me pretendimin se janë përfshirë në krime lufte gjatë vitit 1999 në Kosovë.
Lajmi u konfirmua për mediat serbe nga ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq.
Të arrestuarit, të identifikuar si X. E. (1976) dhe B. E. (1973), u ndaluan menjëherë pas hyrjes në territorin e Serbisë. Sipas Daçiqit, dyshohet se më 9 gusht 1999, në Rahovec, në bashkëpunim me pjesëtarë të të ashtuquajturës “UÇK”, ata kanë rrëmbyer një civil serb, J. M., duke përdorur forcë fizike, armë zjarri dhe kërcënime serioze. Që nga ajo ditë, J. M. figuron ende si person i zhdukur.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, me miratimin e prokurorit të Zyrës për Krime Lufte, të dyshuarit janë dërguar në paraburgim për 48 orë dhe më pas do të paraqiten në prokurorinë kompetente me kallëzim penal.
Deri tani, as Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, e as Zyra Ndërlidhëse në Beograd, nuk kanë dhënë ndonjë reagim në lidhje me arrestimet e raportuara nga autoritetet serbe.