Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka publikuar të dhënat e përditësuara mbi fluksin e qarkullimit në pikat kufitare, sipas të cilave pritjet për hyrje në Kosovë janë të shkurtra, ndërsa ato për dalje vazhdojnë të jenë të gjata në disa pika.
Në hyrje, pritjet raportohen të jenë vetëm 3 deri në 5 minuta në shumicën e pikave kufitare. Përjashtim bën pika e Muçibabës dhe Jarinjes, ku pritjet shkojnë nga 5 deri në 10 minuta.
Megjithatë, situata ndryshon dukshëm në dalje. Në pikën kufitare të Dheu i Bardhë, pritjet arrijnë deri në 1 orë e 30 minuta, me kolonë rreth 700 metra. Në Merdarë pritjet variojnë nga 50 deri në 60 minuta, gjithashtu me kolonë prej 700 metrash. Ndërkohë, në Jarinje pritjet për dalje shkojnë nga 30 deri në 40 minuta, me kolonë prej rreth 500 metrash.
Pikat tjera kufitare raportojnë pritje të shkurtra, zakonisht jo më shumë se 5 minuta, si për hyrje ashtu edhe për dalje.
Ky përditësim është bërë në orën 09:07 të mëngjesit në faqen zyrtare të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar.