Presidenti amerikan, Donald Trump, ka biseduar të premten me liderin bjellorus, Alexander Lukashenka – aleat i ngushtë i Vladimir Putinit – disa orë para samitit të Trumpit me Putinin që do të zhvillohet në Alaskë.
Bisedën telefonike e kanë konfirmuar të dyja palët.
Trump ka thënë përmes një postimi në X – dikur Twitter – se qëllimi i bisedës ka qenë që ta falënderojë liderin bjellorus për lirimin e 16 të burgosurve.
“Po diskutojmë për lirimin e 1.300 të burgosurve tjerë. I kemi diskutuar disa çështje, përfshirë vizitën me Putinin në Alaskë. Mezi pres ta takoj presidentin Lukashenka në të ardhmen”, ka shkruar Trump.
Trump dhe Putin do të takohen ballë për ballë për t’i diskutuar mënyrat për dhënien fund të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Para se të nisej nga Uashingtoni në Alaskë, Trump u ka thënë gazetarëve se shpreson që do të ketë rezultat.
Para këtij takimi, dy liderët kanë biseduar të paktën pesë herë përmes telefonit, prej kur Trump e ka marrë mandatin në janar të këtij viti.
Ukrainasit janë lënë anash në këto bisedime, të cilat zhvillohen në kohën kur Ukraina është e dërmuar nga lufta, ndërsa Rusia bën përpjekje që ta ndryshojë imazhin në skenën botërore.
“Po llogarisim në Amerikën. Jemi të gatshëm, sikurse gjithmonë, të punojmë në mënyrë sa më produktive që është e mundshme”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky pasi Trump është nisur për takim.
“Gjëja kryesore është që ky takim hap rrugën për bisedime të sinqerta për paqe në mes të liderëve në format trepalësh, mes Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë”, ka shkruar ai në platforma sociale.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka folur më shumë më 14 gusht për kushtet që duhet të plotësohen për të arritur te paqja e qëndrueshme.
“Besoj se të gjithë jemi në dijeni që do të ketë diskutime për garanci të sigurisë. Duhet të diskutohet edhe për kontestet territoriale dhe pretendimet për të cilat luftojnë të dyja palët”, ka thënë Rubio.
Rusia do të vazhdojë të insistojë në diskutimin e asaj që e konsideron “rrënjën” e konfliktit – kod i Kremlinit përmes së cilit kërkon që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet për anëtarësim në NATO, si dhe marrjen e hapave për çarmatosje të ushtrisë ukrainase.
Secila palë i ka vijat e kuqe, prandaj rruga deri te arritja e paqes nuk është e lehtë.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.