AUV ndalon shitjen e produkteve të bylmetit dhe shpezëve në hapësira publike në Ferizaj

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), zyra regjionale në Ferizaj, ka njoftuar se gjatë një inspektimi të përbashkët me Policinë e Kosovës në tregun e gjelbër, është ndaluar shitja e produkteve të bylmetit dhe e shpezëve në hapësira publike.

Produkte të bylmetit jashtë kushteve ligjore

Sipas AUV-së, është konstatuar se djathi, gjiza, qumështi i freskët dhe nënproduktet e tjera të qumështit po shiteshin në hapësira të pambrojtura dhe në temperatura të ambientit.

Inspektorët theksojnë se produktet e këtij lloji, sipas ligjit, duhet të ruhen në kushte frigoriferike 0–6°C dhe të jenë të mbrojtura nga ndotja dhe kontaminimi. Shitja e tyre jashtë këtyre standardeve përbën shkelje serioze të rregullave higjieno-sanitare dhe rrezikon shëndetin publik.

Në bazë të Ligjit Nr. 08/L-120 për Ushqim, është urdhëruar largimi i produkteve të pasigurta dhe ndalimi i menjëhershëm i shitjes së tyre. Për rastet e përsëritura, parashihet konfiskim, asgjësim i produkteve dhe sanksionim ligjor.

Shitja e shpezëve në rrugë – e ndaluar

Gjatë kontrollit thuhet se është evidentuar edhe shitja e kundërligjshme e shpezëve në hapësira publike, ku disa qytetarë kishin bllokuar trotuaret duke krijuar rrezik për shëndetin publik për shkak të mungesës së kushteve higjieno-sanitare.

Sipas ligjeve për Ushqim, për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe për Rregullat e Trafikut Rrugor, shitja e kafshëve apo produkteve ushqimore në trotuar është e ndaluar. Policia dhe inspektorët larguan shpezët nga hapësira publike, duke paralajmëruar se në rast përsëritjeje do të konfiskohen dhe asgjësohen.

Apel për qytetarët

AUV u ka bërë thirrje qytetarëve që të blejnë vetëm produkte të bylmetit që ruhen në kushte frigoriferike dhe që kanë etiketë të qartë për origjinën dhe afatin e përdorimit.

Agjencia ritheksoi se inspektimet do të vazhdojnë rregullisht, me qëllim sigurimin e ushqimit të shëndetshëm për konsumatorët dhe mbrojtjen e rendit publik.

Shija e redaktorit

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Klinika e Onkologjisë dhe Emergjenca e QKUK-së përfitojnë donacion pajisjesh...

Klinika e Onkologjisë dhe shërbimi i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë pranuar një donacion të ri pajisjesh mjekësore nga organizata joqeveritare...

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Të fundit nga rubrika