13 persona janë ndaluar pas një aksioni kundër bixhozit të Prokurorisë Themelore të Pejës, në Isniq të Deçanit.
Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët lidhur me aksionin.
“Prokuroria Themelore e Pejës, njofton opinionin publik se bashkë me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë me njësitet relevante, ka realizuar bastisje në fshatin Isniq të komunës së Deçanit, ku janë arrestuar në flagrancë dhe ndaluar për 48 orë trembëdhjetë (13) persona të dyshuar për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të kundërligjshëm” nga Kodi Penale i Republikës së Kosovës.”
Nga aksioni, u sekuestruan thuajse 20 mijë euro.
“Ky aksion i udhëhequr nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, znj. Lumturije Vuçetaj, ka rezultuar edhe me sekuestrimin e rreth shtatëmbëdhjetë (17) mijë eurove nga të pandehurit bashkë me një armë të zjarrit, shufrua metalike dhe thika. Po ashtu, janë sekuestruar edhe prova tjera materiale të cilat ndërlidhen me veprën penale të lartcekur dhe do të shërbejnë në këtë procedurë penale.”
Mes të tjerash, në komunikatë thuhet se Prokurori i shteti brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë ndaj të pandehurve për sigurimin e tyre në procedurë penale për veprimet e mëtutjeshme ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës..