Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, ka shpallur të hënën vendosjen e rreth 4.5 milionë militantëve në të gjithë vendin, duke deklaruar se “asnjë perandori nuk do të prekë tokën e shenjtë të Venezuelës”. Ky veprim vjen pasi Shtetet e Bashkuara dyfishuan shpërblimin për informacionin që mund të çojë në arrestimin e tij dhe njoftuan për rritjen e prezencës ushtarake detare rreth Amerikës Latine dhe Karaibeve.
Javën e kaluar, Uashingtoni konfirmoi për CNN se kishte urdhëruar lëvizje të flotës detare për të frenuar kërcënimin nga trafiku i drogës. Reuters raportoi të hënën se tri luftanije amerikane dhe 4,000 ushtarë pritet të mbërrijnë pranë ujërave territoriale të Venezuelës brenda 36 orëve. Por një ditë më vonë, një zyrtar i Pentagonit mohoi që anijet amerikane të jenë drejtuar në atë zonë.
Në një fjalim televiziv me guvernatorët dhe kryetarët e bashkive, Maduro tha se do të aktivizojë një plan të posaçëm për “milicitë e përgatitura, të aktivizuara dhe të armatosura” në çdo cep të vendit, përfshirë milicitë fshatare dhe punëtore. “Raketa dhe pushkë për klasën punëtore, për të mbrojtur atdheun tonë”, theksoi ai.
Presidenti venezuelas e përshkroi retorikën amerikane si “kërcënime të kalbura dhe të çuditshme”, ndërsa shtoi se vendi i tij do të mbrojë “detet, qiellin dhe tokën e shenjtë të Amerikës së Jugut”.
Nga ana tjetër, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Presidenti Donald Trump është i gatshëm të përdorë “çdo element të fuqisë amerikane” për të ndalur trafikun e drogës dhe për ta sjellë Maduro-n para drejtësisë, duke e quajtur atë “të paligjshëm” si udhëheqës të Venezuelës. SHBA dhe Venezuela nuk kanë marrëdhënie diplomatike zyrtare që nga viti 2019.
Karakasi ka mohuar akuzat e Uashingtonit për trafik droge, duke i cilësuar ato “shpifje dhe kërcënime”. Ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello, i ka quajtur akuzat për “kartelin e Djajve” një shpikje amerikane, ndërsa Ministri i Mbrojtjes, Vladimir Padrino López, i ka hedhur poshtë si “qesharake”.
Milicia venezuelase u krijua nga ish-presidenti Hugo Chávez më 2005 dhe u institucionalizua më 2010, si pjesë e Forcave të Armatosura Kombëtare Bolivariane (FANB). Sipas të dhënave zyrtare, FANB numëron mes 95,000 dhe 150,000 ushtarë aktivë, si dhe qindra mijëra rezervistë.
Ndërkohë, faqja e specializuar Global Fire Power rendit Venezuelën në vendin e 50-të për fuqinë ushtarake në vitin 2025, nga gjithsej 145 shtete, ndërsa SHBA-të mbeten të parat, Rusia e dyta dhe Kina e treta.
Tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar kohët e fundit pasi administrata Trump dyfishoi shpërblimin në 50 milionë dollarë për informacionin që çon në arrestimin e Maduro-s, të cilin e cilësoi si “një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në botë” dhe kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së.