Frank Caprio, gjyqtari i famshëm në SHBA dhe një prej figurave të njohura në rrjet ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare.
Informacioni u bë i ditur nga familja e tij përmes një postimi në llogarinë zyrtare në Instagram, ku u njoftua se ai ndërroi jetë pas një betejë me kancerin e pankreasit.
Në deklaratë, ai u kujtua për “ngrohtësinë” e tij dhe “besimin e palëkundur në mirësinë e njerëzve”.
Djali i tij, David Caprio, falënderoi të gjithë ndjekësit për dashurinë dhe mbështetjen, duke i ftuar që të “përhapin pak mirësi” në kujtim të babait të tij.
I dashur për publikun për humorin dhe dhembshurinë në sallën e gjyqit, Caprio fitoi famë botërore me emisionin Caught in Providence, klipet e të cilit kanë grumbulluar miliarda shikime në rrjetet sociale. Kjo e bëri atë të njihej si “gjyqtari më i mirë në botë”, raporton BBC.
Kompania televizive Debmar-Mercury, që prodhoi programin, i bëri homazh Caprios për “stil unik, të mbushur me dhembshuri dhe qasje të shëndoshë ndaj drejtësisë”, duke shtuar: “Do të na mungojë shumë.”
Gjatë karrierës së tij, Caprio ka gjykuar mijëra çështje në qytetin e tij të lindjes, Providence, Rhode Island, përpara se të niste rrugëtimin televiziv. Emisioni u nominua për tre çmime Daytime Emmy, ndërsa ai vetë mori dy nominime vitin e kaluar.