Buxheti për Prishtinën po rritet dhe atë di ta përdorë më së miri kandidati nga Lëvizja Vetëvendosje në garë për kryetar, Hajrulla Çeku.
Kështu të paktën ka vlerësuar Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati duke thënë se Përparim Ramës, i tepronte buxheti.
Nuk vonoi shumë e një kundërpërgjigje ia dha ai të cilit iu lakua emri e që statusin e Muratit, e cilësoi si provë të bllokadës.
“Sot e kanë bllokuar buxhetin, vetëm sepse nuk janë vet në qeverisje. Nga ajo që paska thënë ministri u bë më se e qartë: meqë ata nuk qeverisin më Prishtinën, atëherë jeta e qytetarëve të Kryeqytetit nuk ka vlerë!”, shkroi Rama.
Kabineti i këtij të fundit nuk ka dashur të deklarohet sot duke thënë se janë përgjigjur përmes këtij postimi mbrëmjen e kaluar.
Por për këtë reagim të Ramës folën asamblist të kësaj komune nga LVV.
Për katër vjet mandat, Kryetari Rama, në mungesë projekteve, punëve të mira për Kryeqytetin, ka gjetë të viktimizohet duke akuzuar padrejtësisht Qeverinë se po na bllokon. Kurse dihet mirë që vetëm në arsim, Qeveria e Kosovës ka investuar 12 milion euro, po ashtu edhe në shumë dikastere tjera që janë të rëndësishme për Prishtinën. Prandaj akuzat e Ramës, për bllokada nuk qëndrojnë. Paralajmërimin e ministrit Murati, se në vitin e ardhshëm buxheti i ndarë për Komunën e Prishtinës do të jetë 151.53 milionë euro, duhet marr diçka si pozitive sepse kjo do i shërben Kryeqytetit dhe qytetarëve të saj. Por një gjë është e mirë se Rama më nuk do jetë Kryetar i Prishtinës, e këtë mënyrë ky buxhet do shpenzohet, menaxhohet për projekte konkrete që ua lehtësojnë jetë qytetarëve të Prishtinës. -Besart Krasniqi- Asamblist i LVV në Prishtinë
Për analist e monitorues të punës së komunave, ky deklarim i Muratit është i pritshëm.
“Reagimi i ministrit është fushatë që ka nisë për zgjedhjet lokale, ka të bëj me fushatën propaganduese për ti bindur qytetarët për të votuar VV sepse po të shohësh statistikat, në katë vitet e fundit buxheti është rritur vazhdimisht. Vitin 2024 e kemi pas mbi 123 milionë, tash një rritje në proporcion ka ndodh çdo vit. Krahasimi i vitit 2026 me vitin 2018-2019 është i padrejtë. Për të dalë shifra akoma më interesant, Murati ka mundur të krahasojë edhe vitin 2000 ku buxheti ka qenë ekstrem më i vogël. Përveç fushatës, s’ka asgjë tjetër në atë deklaratë”, ka thënë Shemsi Jashari, Analist.
Mes të tjerash, Murati ka deklaruar se Rama me pretendimet për bllokadë po shfajëson veten për mospunë dhe dembeli duke theksuar se i njëjti, nuk e morri seriozisht punën si kryetar i Prishtinës.