Sot shënohet një javë që kur KEDS ka filluar zyrtarisht procesin e shkyçjes së bizneseve të cilat nuk kanë përmbushur obligimin ligjor për të kaluar në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Ky veprim erdhi si pasojë e përfundimit të afatit të parapërcaktuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), që kërkonte nga të gjithë konsumatorët komercialë të nivelit të mesëm dhe të lartë të tensionit të sigurojnë furnizim nga furnitorë të licencuar në tregun e lirë.
Sipas KEDS, deri më tani janë shkyçur dhjetëra biznese në gjithë territorin e Kosovës, dhe procesi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim për ata që ende nuk kanë kaluar në tregun e lirë, duke theksuar se kjo është një kërkesë e domosdoshme sipas legjislacionit në fuqi.
Nga ana tjetër, përfaqësues të bizneseve kanë shprehur shqetësim për këtë proces, duke kërkuar më shumë informim dhe kohë për përshtatje, por institucionet kanë sqaruar se afatet janë bërë të ditura me kohë dhe kanë pasuar me disa zgjatje në të kaluarën.
Zhurmë nga bizneset u bë, e edhe paralajmërime u dhanë nga përfaqësuesit e odave të bizneseve për pasojat e formës në të cilën hyri në fuqi vendimi.
Por as edhe një deklarim e veprim nuk u ndërmor nga institucionet qendrore, as nga Presidenca e as nga qeveria në detyrë.
Kjo për përfaqësuesit e bizneseve mbetet zhgënjyese.
“Fatkeqësisht institucionet nuk kanë mbështetur fare bizneset ani se rreth 60% e buxhetit të shtetit mbushet po nga këto biznese që dolën dhunshëm në tregun e lirë. Përkundër kërkesave publike, letrave dhe disa takimeve, institucionet në heshtje kanë mbështetur veprimin e ZRRE-së. Për më tepër përkundër që BE shprehu gatishmërinë që të mbështeste Kosovën të kalonte këtë proces hap pas hapi dhe për të cilin ofroi mbi 22 milionë euro, institucionet sërish heshtën. Kjo është një porosi shumë negative si për bizneset vendëse ashtu edhe për ato të jashtme që kanë investuar dhe që në një nga kushtet e favorshme u është thënë se është energjia”, ka thënë Kushtrim Ahmeti, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë.
Njëzëri shprehen edhe nga Oda Ekonomike gjersa thonë se qeveria ka marrë një anë tjetër.
“Tek ne është kriju precepsioni se ma shumë Qeveria ka qenë në anën e furnizuesve sesa bizneseve edhe si nuk e kanë marrë mundim asnjë reagim të ketë. Ju kujtohet në fillim të qershorit se si ministrja ka qenë kategorike që bizneset të lidhin kontratë me furnizuesit dhe aty e kemi kuptuar se s’është në rregull. Kemi kërku nga kryeministri me subvencionu ashtu siç ka kërkuar ZRrE për një subvencionim 50 milionësh po s’kemi pas përgjigje”, ka thënë Lulzim Rafuna, Kryetar i Odës Ekonomike.
ZRRE ka bërë thirrje që të gjitha bizneset të kryejnë obligimet e tyre sa më parë, në të kundërtën, rrezikojnë të mbeten pa energji elektrike dhe me pasoja financiare shtesë.