Policia e Kosovës ka raportuar për nëntë raste të dhunës në familje në raportin e fundit 24-orësh. Vetëm në Prishtinë, gjatë ditës së djeshme, janë iniciuar tre raste.
Në një prej tyre, dy të dyshuara femra kosovare janë përleshur pas një mosmarrëveshjeje. Të dyjat kanë refuzuar trajtimin mjekësor dhe, pas intervistimit, janë liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.
Në një tjetër rast, një mashkull dhe një femër kosovar janë arrestuar pasi pas një mosmarrëveshjeje verbale janë përleshur fizikisht, duke pësuar lëndime trupore. Të dyshuarit kanë pranuar trajtim mjekësor dhe pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, në rastin e tretë, një burrë është arrestuar pasi ka kanosur dhe sulmuar dy gra kosovare. Viktimave u është ofruar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt.
Një rast tjetër është raportuar në Kamenicë, ku një burrë ka sulmuar fizikisht një grua. Viktima nuk ka pranuar ndihmë mjekësore, ndërsa i dyshuari është ndaluar në qendrën e mbajtjes pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit.
Edhe në Pejë janë shënuar tri raste të dhunës në familje. Një grua ka raportuar se është ofenduar dhe sulmuar nga bashkëshorti i saj, duke pësuar lëndime trupore për të cilat ka marrë trajtim mjekësor. Prokurori është njoftuar dhe rasti mbetet nën hetime.
Në një rast tjetër, një burrë ka raportuar se i dyshuari i ka dëmtuar veturën, dritaret e objektit dhe disa gjëra të tjera. I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, një mashkull ka njoftuar se është duke marrë vazhdimisht mesazhe kërcënuese përmes rrjeteve sociale nga një person që ndodhet jashtë Kosovës, të adresuara ndaj tij dhe vajzës së tij. Me urdhër të prokurorit është iniciuar rast dhe hetimet po vazhdojnë.
Në Rahovec, policia ka arrestuar një burrë i cili, nën ndikimin e alkoolit, ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij, duke i shkaktuar lëndime trupore. Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjahu me 25 fishekë, të cilën e posedonte me leje. Testimi i alkoolit ka rezultuar pozitiv dhe i dyshuari është ndaluar në qendrën e mbajtjes.
Në Vushtrri janë arrestuar tre burra, të cilët pas një mosmarrëveshjeje janë përleshur fizikisht me njëri-tjetrin. Njëri prej tyre ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa të gjithë të dyshuarit, pas intervistimit, janë liruar në procedurë të rregullt.