Anëtari i KQZ-së nga radhët e VV-së Alban Krasniqi, me të nisur mbledhja e KQZ-së vendosi një mesazh para anëtarëve të këtij komisioni: “Po pluralizmit, Jo terrorizmit”, raporton Ekonomia Online.
Ky veprim i tij erdhi pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ta certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
PZAP në vendim ka konstatuar se Lista Serbe brenda afatit të paraparë me ligj ka paraqitur kërkesën për konfirmim të listës së kandidatëve për këshilltarë në 19 komuna dhe kandidatëve për kryetar komune nga 11 komuna përmes platformës online llogarisë së tij të përdoruesit në Zyrën për Regjistrim, Certifikim, Konfirmim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike (ZRKKFSP).
PZAP thekson se KQZ nuk ka të drejtë të refuzojë ose të mos certifikojë në mënyrë arbitrare, pa shpjegime, një subjekt politik ose kandidat.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Gjatë mbledhjes së KQZ-së, më 21.8.2025, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12.10.2025. Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan.
Për certifikimin e Listës Serbe votuan vetëm anëtarja e kësaj partie, Gordana Llaban dhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.