Ka përfunduar ndërtimi i njërës prej urave të reja mbi lumin Ibër, e cila tashmë është lëshuar për qarkullim.
Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durimishi, i cili ka shpërndarë edhe pamje nga vendi i ngjarjes.
“Urime Mitrovicë! Urime për të gjithë qytetarët e Kosovës! E gëzofshim urën e re”, ka shkruar Durmishi.
Për këtë ka shkruar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Të dashur qytetarë të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës, urime ura e re!”, ka shkruar ai.
Gurthemeli i dy urave të reja mbi Ibër ishte vendosur në fillim të korrikut, në prezencën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Sipas Qeverisë në detyrë, ndërtimi i tyre ka për qëllim lidhjen e Mitrovicës së Veriut me atë të Jugut, duke lehtësuar qarkullimin dhe bashkëjetesën mes qytetarëve.
Nga dy urat e planifikuara, njëra është destinuar për këmbësorë, ndërsa tjetra për automjete. Investimi ka kushtuar rreth tre milionë euro dhe financohet nga buxheti i Qeverisë. Përfundimi i punimeve ishte paraparë për muajin shtator.