Procesi i zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb ka hyrë në një fazë të re pas tre dështimeve radhazi për ta zgjedhur Sllavko Simiqin në këtë post.
Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, edhe një herë e propozoi emrin e Sllavko Simiqit për këtë pozitë, duke theksuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhej vetëm me pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe jo me nënkryetarët.
Megjithatë, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e hodhi poshtë këtë interpretim, duke theksuar se “nuk mund të ketë standard të ndryshëm për kryetar dhe një tjetër për nënkryetar”.
Basha deklaroi se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përcakton qartë që një kandidat mund të propozohet vetëm deri në tri herë, prandaj Sllavko Simiq nuk mund të rikandidohet më. Për pasojë, ai mori vendimin që zgjedhja e nënkryetarit të komunitetit serb të bëhet përmes shortit, në rast se Lista Serbe nuk propozon një emër tjetër.
Simiq ka qenë i propozuar tri herë me radhë, por nuk ka arritur të marrë votat e mjaftueshme të deputetëve.