Procesi për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb ka dështuar.
Pas tri dështimeve radhazi të kandidaturës së Sllavko Simiqit nga Lista Serbe, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, vendosi që procedura të kalojë përmes shortit. Megjithatë, edhe kjo rrugë nuk solli rezultat.
Fillimisht, emri i deputetes së Listës Serbe, Verica Qeraniq, doli nga shorti, por ajo nuk mori asnjë votë në dy raundet e votimit dhe më pas refuzoi të kandidohej përsëri. Edhe deputetja tjetër e Listës Serbe, Liljana Stefanoviq, refuzoi kandidaturën e saj kur emri i saj u përzgjodh, duke u eliminuar automatikisht nga gara.
Në vijim, edhe Stefan Kovaçeviq doli në votim, por nuk arriti të sigurojë vota.
I njëjti fat e përcolli edhe Nenad Rashiqin, i cili nuk mori mbështetjen e nevojshme prej së paku 61 votash.
Për shkak të mungesës së rezultateve, seanca e sotme e Kuvendit është ndërprerë dhe është shtyrë për të enjten.