Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka një plan për të bllokuar institucionet e vendit.
Në një postim në Facebook, Gashi ka përmendur veçanërisht bllokimin e Kuvendit gjatë zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti jo-shumicë serb. Ai ka thënë se VV ka nisur obstruksionet menjëherë pas zgjedhjes së kryeparlamentarit, duke kërkuar shkelje kushtetuese dhe duke tentuar një bllokadë të re për muajt e ardhshëm.
“Kuvendi duhet të zhbllokohet, institucionet duhet të themelohen sa më shpejt!
Që Vetëvendosje ka plan për bllokimin e institucioneve – nuk ka më asnjë dyshim. Këtë e pamë qartë edhe dje: sapo u zgjodh Kryetari i Kuvendit, VV nisi obstruksionet duke kërkuar shkelje kushtetuese dhe duke tentuar një bllokadë të re për muajt e ardhshëm.
Me vetëdije, kërkuan nga partitë politike të shkelin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që qartë thotë se duhet të zbatohet rendi i ditës i përcaktuar për seancën konstituive. Pasi nuk patën sukses në tërësi, vendosën të përqendrohen te nënkryetari serb – duke shfrytëzuar ndjeshmërinë dhe duke llogaritur se reagimi i partive tjera do të ishte më i zbehtë.
Rezultati? Vendi mbetet pa institucione. Prishtina e Gjilani pa buxhet. Shumë shpejt, nëse nuk ka reagim me lidership të qartë politik – e gjithë Kosova rrezikon kolaps institucional.
Politika ka rënë në pikën më të ulët, ku shihet vetëm përfitimi momental, jo siguria dhe interesi i shtetit e i shqiptarëve të Kosovës.
LDK ka qenë dhe do të mbetet forca vizionare, përgjegjëse dhe zgjidhëse e situatave”, ka shkruar Gashi.