Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, në një konferencë për media ka komentuar publikimin e një punimi të shpërndarë nga disa media, ku përmendet Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Është e lodhshme që shpifjet nuk kanë të ndalur dhe akuzat e ulëta që janë ngritur kundër meje”, tha Basha para gazetarëve.
Ai shtoi se ky lloj diskursi po përdoret për ta sulmuar politikisht, duke theksuar se do t’i qëndrojë çdo sfide.
Tutje Basha ka mohuar se ka shkruar keq për UÇK-në në artikullin ku ishte bashkëautor.
“Nuk është hera e parë që unë, si Dimal Basha dhe Lëvizja Vetëvendosje, sulmohemi. E shenjtë është lufta e UÇK-së dhe sakrifica për liri. Kurrë në jetën time nuk kam shkruar kundër saj. Po të njëjtit e quanin edhe Rugovën tradhtar, e sot e quajnë Kurtin ‘njeri të Serbisë’”, ka thënë ndër të tjera Basha.
Më tej ai tha se punimi i tij ishte depërtimi i islamit fundamentalist me fokus Kosovën dhe aty asnjë fjalë të vetme aty nuk ka UÇK.
“Ndiej përgjegjësinë për akuzat që janë ngritur ndaj meje. Kemi dorëzuara hulumtime për studim. Unë kam dërguar hulumtimin që kanë të bëjë vetëm me këtë temë. Edhe tema ime e diplomës që kam master gjithashtu e mbulon vetëm këtë pjesë, asnjë fjalë të vetme aty nuk ka UÇK. Aty ka pasur të bëjë vetëm me temën depërtimin e islamit fundamentalist me fokus Kosovën”.
“Akuzat janë shumë të ulëta. Unë e kam të shenjtë luftën e UÇK-së, i përulem çdokujt që ka luftuar. Kurrë në jetën time nuk është shkruar kundër kësaj vlere të popullit. Gjatë këtyre 6 viteve, të ashtuquajturat portale kanë shpifur për mua, duke përdorur burime nga gazetat e Beogradit duke me sulmuar mua”, tha Basha.