Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj zgjedhjes së Dimal Bashës si Kryetar i Kuvendit, duke e quajtur këtë akt dëshmi të vazhdimit të një filozofie politike kundër UÇK-së dhe trashëgimisë së saj.
“Nëse është dikush që e ka pasur mënyrë jetese demonizimin e UÇK-së dhe të udhëheqësve të saj, ai është Albin Kurti. Rrjedhimisht, gati secili që i është bashkuar atij, ka pasur ose ka përvetësuar të njëjtin mentalitet,” ka thënë Krasniqi.
Ai ka përmendur propozimet e Vetëvendosjes për Kryetar të Kuvendit si shembull të qartë të kësaj qasjeje.
“Albulena Haxhiu, Donika Schwartz, Hekuran Murati – të tre me qëndrime dhe veprime kundër UÇK-së dhe trashëgimisë së saj. Njëra duke ua zvogëluar fondet e mbrojtjes në Gjykatën e Hagës, tjetra duke pranuar se ka dorëzuar dosje kundër krerëve të UÇK-së, e tjetri duke përjashtuar nga paga minimale kategoritë e luftës çlirimtare dhe duke i fyer luftëtarët e lirisë në krahasimet që ua bënte me mercenarë.”
Sipas tij, edhe Kryeparlamentari i ri, me artikullin e tij kundër UÇK-së, e dëshmon të njëjtën linjë politike.
“Edhe Kryekuvendari i ri, me artikullin e tij morbid kundër UÇK-së, i cili doli dje në pah, vetëm sa e konfirmon filozofinë e Vetëvendosjes: sa më shumë të distancohesh nga UÇK-ja, aq më shpejt ngjitesh në parti. Kjo edhe mund të jetë formula e tyre e brendshme.”
Krasniqi ka sqaruar se vota e PDK-së nuk ka qenë për individin, por për të mbajtur zotimin e dhënë qytetarëve dhe për të çuar drejt fundit një bllokadë institucionale disa mujore.
“Vota jonë nuk ka qenë për individin – por për të mbajtur zotimin e dhënë para qytetarëve, me qëllim të dhënies fund bllokadës institucionale. Por, edhe për ta zhveshur Vetëvendosjen dhe për ta vënë para reflektorit publik të së vërtetës. Sepse, gjatë janë fshehur e amnistuar prapa Glaukave, por në fakt këta janë Dimala. Nëse ndokush ka pasur dyshime, qoftë edhe brenda elektoratit të tyre, sot besoj e kanë të qartë këtë.”
Ai ka drejtuar kritika të drejtpërdrejta edhe ndaj Vetëvendosjes dhe kryeministrit Kurti.
“Turpi i mbetet Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit, të cilët me insistim e kandiduan Dimal Bashën. Por, një gjë po vërtetohet edhe tash, siç e kishim thënë në dy herët e kandidimit të tij – ai nuk është i denjë që të jetë Kryetar i Kuvendit.”
Në fund, Krasniqi ka theksuar se PDK do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të luftës së UÇK-së dhe shtetit të Kosovës.
“Sa për PDK-në, partinë që e pasoi UÇK-në, pavarësisht gjithçkaje e çdo zhurme, do ta mbrojmë me çdo kusht, si çdo herë tjetër, luftën e UÇK-së dhe shtetin e Kosovës”, ka shkruar në Facebook Krasniqi.