Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), pas përfundimit të seancës së Kuvendit ka deklaruar se po shihet qartë një tentim për të mos e çuar përpara procesin e konstituimit të Kuvendit.
Ai tha se është i befasuar me entuziazmin e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e një përfaqësuesi të komunitetit serb në postin e nënkryetarit të Kuvendit, duke shtuar se një përkushtim i tillë nuk është parë në rastin e Dimal Bashës apo Albulena Haxhiut.
“Është e qartë që ka tentim për të mos shkuar tutje me konstituimin e Kuvendit. Ajo që më befason është sesi krejt VV me kaq vullnet e entuziazëm po angazhohen për të bërë nënkryetar një përfaqësues të komunitetit serb, ndërkohë që shumë më pak janë interesuar për Dimal Bashën e Albulena Haxhiun”, tha Krasniqi.
Ai po ashtu ka sqaruar arsyen pse PDK po abstenon në votimin për nënkryetarët nga komunitetet joshumicë, duke theksuar se procesi i votimit nuk është kushtetues.
“Ne po abstenojmë sepse secili e di që mënyra e votimit është jokushtetuese. Sjellja e tyre po karakterizohet nga veprime të tilla jokushtetuese”, shtoi Krasniqi.