Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Jelena Gjukanoviq, zyrtare në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Mitrovicë, për veprën penale “Spiunazh”.
Sipas aktakuzës, Gjukanoviq, nga pozita e saj si “Zyrtare e Programit Kombëtar” në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Mitrovicë, ka kryer veprime që favorizojnë aktivitetin e Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Serbisë (BIA).
Veprimet e saj përfshijnë sigurimin dhe shpërndarjen e dokumenteve dhe informacionit të ndjeshëm, duke rrezikuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, si dhe sigurinë e qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar.
“J.GJ. akuzohet se nga data e pacaktuar, e deri në momentin e arrestimit më 28.02.2025, në cilësinë e zyrtares të Misionit të OSBE-së në Kosovë, me vetëdije dhe me dashje ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë. E pandehura, e cila mbante pozitën “Zyrtare e Programit Kombëtar” në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Regjionin e Mitrovicës, akuzohet se ka siguruar dhe shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për interes të BIA-s. Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë cënuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, si dhe kanë vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë”.
Prokuroria pretendon se Gjukanoviq, duke ndjekur udhëzimet e të dënuarit për spiunazh A.V., ka ndihmuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë dhe shtetësisë së Kosovës.
Informacionet e siguruara sipas prokurorisë, janë transmetuar tek zyrtarë të lartë të BIA-s, përfshirë R.G. dhe L.B., me të cilin J.GJ. dyshohet se është takuar disa herë në Beograd.
“J.GJ.nga pozita e saj në OSBE, dhe udhëzimeve që kishte marrë nga tani i dënuari për spiunazh A.V., gjatë takimeve zyrtare dhe përpilimit të raporteve të OSBE-së, për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, poashtu ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës. Sipas provave të siguruara gjatë hetimeve, informacionet e siguruara nga J.GJ, janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-s, përkatësisht R.G., përgjegjës i BIA-s për Rajonin e Novi Pazarit në Serbi, dhe zyrtari L.B., ku me këtë të fundit, e pandehura në disa raste edhe është takuar në Beograd të Serbisë”.
Prokuroria ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për të pandehurën, dhe gjykata pritet të shqyrtojë çështjen dhe të vendosë për dënimin në përputhje me ligjin.