Java e parë e shtatorit nuk i priti në bankat shkollore nxënësit e shkollës “Zenel Hajdini” në Prishtinë, sikur bashkëmoshatarët në gjithë Kosovën.
Kjo si shkak i renovimeve që kanë filluar nga viti i kaluar, të cilat komuna i kishte bërë publike pa përmendur një datë specifike për fillimin e mësimit.
Drejtoria e shkollës, që gjendet në lagjen “Kodra e Trimave”, ka njoftuar se mësimi do të nisë më 8 shtator dhe këtë Drejtoria e Arsimit në Komunë e cilëson arritje.
“Arsyeja pse kanë zgjatë punimet dhe prapë po e përsërisë, janë punuar tre javë para kohe dhe këto ditë jemi vetëm me pastrim dhe riorganizim, sa i përket kohës a ka pas mundësi të kryhet më parë ka qenë e pamundshme sepse është dashur të ndërhyhet në secilin segment, ka pasur nevojë të ndërhyhet rrënjësisht në tualete, klasa, elektrikë”, ka thënë drejtori i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini.
Po e njëjta shkollë, kishte humbur mësim edhe vitin e kaluar si pasojë e problemeve infrastrukturore, por sivjet do t’i zëvendësojë ndryshe, me anë të mësimit tërëditor.
Ky i fundit do të fillojë më vonë si shkak i asaj që qeverisja e LDK-së në komunë, e quan “bllokim të buxhetit”.
“Ne kemi pas problem në finalizimin e kontratës për ndërtim të anekseve që përfshin këtë, “Xhevdet Dodën” dhe “Dituria” në Shkabaj. Këto janë planifiku me një kontratë që për shkak të bllokimit të buxhetit në kryeqytet janë vonu. Si pasojë mësimi tërëditor s’nis të hënën…jam i bindur që më së largu në mes tetorit, do të kemi kuzhinën dhe mësimi të kalojë në tërëditor”, ka thënë Shahini.
Por arsyetimet për bllokim të buxhetit nga qeverisja qendrore nuk i pranon Lëvizja Vetëvendosje në Komunë.
“Komuna nuk ka asnjë arsye për këtë zvarritje të punimeve, përveç neglizhencës së saj, si në shumë projekte tjera të pa përfunduara. Po ashtu kërkoj nga Komuna e Prishtinës, Drejtoria e Arsimit t’i mbikëqyrin punimet në shkollën “Zenel Hajdini” dhe në shkollat tjera, pasi që nga banorët kam pranuar ankesa në lidhje me procesin e ngadalshëm të punës, po ashtu cilësinë e punimeve”, ka thënë asamblisti i VV-së, Besart Krasniqi.
Në shtator të vitit të kaluar, shkolla “Zenel Hajdini” kishte shkurtuar mësimin për katër orë si pasojë e mungesës së ujit, gjendje kjo e cila zgjati thuajse një muaj.