Presidenca e Kosovës ka reaguar pas vendimit për pezullimin e Dialogut Strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se raporti me SHBA-të është shtylla më e rëndësishme e shtetit dhe identitetit kombëtar.
Në deklaratë thuhet se “Republika e Kosovës është ndërtuar mbi themelet e miqësisë së pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky raport nuk është vetëm diplomatik, por është pjesë ekzistenciale e identitetit tonë shtetëror dhe kombëtar”.
Presidentja Osmani shpreh keqardhje dhe shqetësim të thellë lidhur me pezullimin e këtij mekanizmi të rëndësishëm, duke rikujtuar se Dialogu Strategjik ishte iniciuar prej saj në vitin 2021, përmes një propozimi drejtuar Presidentit të SHBA-ve, i cili u rikonfirmua në vitin 2022 gjatë takimeve me Sekretarin Amerikan të Shtetit. Procesi, sipas Presidencës, u finalizua me konfirmimin përfundimtar në takimin e janarit 2025 në Uashington.
“Çështja e aleancës me SHBA-të, është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë. Qytetarët e Kosovës e dinë se liria e tyre u bë realitet edhe me ndihmën vendimtare të SHBA-ve dhe se pa këtë miqësi historike nuk do të kishim arritur kurrë këtu ku jemi sot”, thekson deklarata.
Presidenca nënvizon se Kosova do të vazhdojë të punojë ngushtë me SHBA-të për forcimin e paqes, demokratizimin e vendit, të ardhmen euroatlantike dhe mbrojtjen e sovranitetit e integritetit territorial.
“Siguria e Republikës së Kosovës është fuqishëm e lidhur me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj secili duhet ta marrë me seriozitetin dhe përgjegjësinë maksimale ruajtjen e kësaj aleance të shenjtë”, thuhet më tej.
Në fund, Presidenca shton se do të angazhohet maksimalisht që Dialogu Strategjik të rifillojë sa më shpejt, duke e konsideruar partneritetin me SHBA-të si “busullën më të sigurt drejt së ardhmes”.