Radio Dukagjini ka siguruar ekskluzivisht një komunikim që dëshmon përgatitjet e strukturave paralele serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë.
Në këtë komunikim, ish-drejtori në Komunën e Graçanicës, Sasa Sekuliq, u kërkon drejtorëve të institucioneve që të mobilizojnë punëtorët dhe familjarët e tyre për të marrë pjesë në votime.
Sekuliq thekson se punëtorët me letërnjoftime të Kosovës dhe të drejtë vote në Graçanicë duhet të sigurojnë praninë e familjarëve të tyre më 12 tetor, për të votuar për Listën Serbe.
Ai paralajmëron gjithashtu se do të organizohet transport i posaçëm për votuesit nga Serbia qendrore drejt Kosovës.
Ky dokumentim tregon për përfshirjen e drejtpërdrejtë të strukturave paralele të mbështetura nga Beogradi në procesin zgjedhor në Kosovë.