Ish-kryeministri i Kosovës dhe njëherësh deputet i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas ndërprerjes së dialogut strategjik Kosovë-SHBA, duke e cilësuar këtë si një goditje të rëndë për vendin që do të ketë pasoja afatgjata nëse nuk ndryshohet kursi i zhvillimeve politike.
“Goditja që mori dje shteti i Kosovës nga ndërprerja e dialogut strategjik Kosovë-SHBA do të ketë pasoja afatgjata nëse nuk ndryshon kursi i zhvillimeve politike. Të mos harrojmë se jemi edhe nën masa financiare të BE-së për më shumë se dy vjet”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Sipas tij, vendimi i SHBA-së do të ishte i shmangshëm sikur Presidentja Vjosa Osmani ta kishte përmbushur detyrimin e saj kushtetues për të mbrojtur institucionet e pavarura nga presioni i Qeverisë.
“Ky vendim i SHBA-së do të ishte i shmangshëm sikur Presidentja Osmani ta kishte përmbushur detyrimin e saj kushtetues, duke marrë përgjegjësinë për të mbrojtur Kushtetutën dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, institucionet gjyqësore e prokuroriale, gazetarët, bizneset dhe komunitetet pa dallim nga sulmet dhe presioni i Kurtit dhe Vetëvendosjes. Në vend të kryerjes së obligimit të saj kushtetues, Osmani në vazhdimësi zgjidhte heshtjen ose radhitej pas Kurtit”, ka theksuar ai.
Hoti ka shtuar se ky vendim është një alarm serioz për të gjithë ata që bartin përgjegjësi institucionale e politike, por që, sipas tij, viteve të fundit janë tërhequr pas narrativës populiste të Kurtit.
“Ky vendim i SHBA-së është zile e re alarmi për ata që bartin përgjegjësi institucionale apo politike, shumë prej të cilëve viteve të fundit Kurti i ka tërhequr zvarrë drejt narratives së tij të popullizmit të mbrapshtë që solli këtë vendim të SHBA-së. Zilja ra sërish dhe shumë fuqishëm. Nesër, kur mund të bëhet vonë, askush nuk mund të thotë se nuk u zgjua ngase nuk i ra kush ziles. Zilja kishte rënë edhe në fillim të vitit 2020. Atëherë, LDK-ja zgjodhi partneritetin me SHBA-në para ruajtjes së pozitave qeveritare”, ka përfunduar ai.