Analisti Ylli Hoxha ka deklaruar se kryetari aktual i Obiliqit, Xhafer Gashi, shihet si favorit në garën për mandatin e ardhshëm, pavarësisht se kjo do të jetë hera e katërt që kandidohet.
“Unë e shoh Xhafer Gashin si favorit të garës. Ka qenë figurë që i ka bërë subjektet e veta fituese në garë dhe nuk ka fituar për shkak të subjektit politik, por për influencën e tij individuale, rrjetin e afërsisë dhe autoritetin që ka ndërtuar në Obiliq”, tha Hoxha.
Ai theksoi se Gashi ka fituar respekt për veprimtarinë e tij në fushën e ndërmarrësisë dhe menaxhimit, duke e bërë të vështirë rënien e tij nga pozita e kryetarit, edhe në një komunë të vogël.
Sipas Hoxhës, edhe pse LVV-ja do të jetë më e fortë se katër vite më parë dhe kandidati i saj Halil Thaçi do të ketë më shumë përkrahje se në zgjedhjet e mëparshme, Gashi mbetet figura kryesore dhe më e fuqishme në garë.
Analisti përmendi gjithashtu edhe ndikimin e punësimeve në KEK nga niveli qendror i LVV-së si një faktor që mund të ndikojë në mbështetjen për Thaçin.