Rubio premton “mbështetje të palëkundur” për Izraelin në luftën në Gaza

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha të hënën gjatë një vizite në Izrael se Uashingtoni do t’i ofrojë aleatit të tij “mbështetje të palëkundur” në luftën në Gaza dhe kërkoi eliminimin e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Populli i Gazës meriton një të ardhme më të mirë, por ajo nuk mund të fillojë pa u eliminuar Hamasi”, tha Rubio para gazetarëve, përkrah kryeministrit Benjamin Netanyahu.

“Ju mund të llogarisni në mbështetjen dhe përkushtimin tonë të palëkundur për ta çuar deri në fund këtë qëllim”, shtoi ai.

Netanyahu e quajti vizitën e Rubios një “mesazh të qartë” se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Izraelit, duke e lavdëruar presidentin Donald Trump si “mikun më të madh që Izraeli ka pasur ndonjëherë”.

Rubio kritikoi planet e disa vendeve perëndimore për ta njohur shtetin palestinez, duke thënë se një gjë e tillë vetëm “e inkurajon” Hamasin.

Sekretari amerikan tha se do të diskutojë me Netanyahun planet izraelite për marrjen nën kontroll të Qytetit të Gazës – qendra më e madhe urbane e territorit – si dhe bisedimet për aneksimin e pjesëve të Bregut Perëndimor të pushtuar, për të pamundësuar krijimin e një shteti palestinez.

Ai shtoi se presidenti Trump dëshiron që lufta në Gaza të “përfundojë” – gjë që, sipas Rubios, nënkupton lirimin e pengjeve dhe eliminimin e Hamasit si kërcënim.

Lufta nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 në Izrael, ku u vranë 1.219 persona, shumica civilë. Kundërpërgjigjja ushtarake e Izraelit në Gaza ka lënë të vrarë mbi 64.800 persona, gjithashtu kryesisht civilë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza – shifra të cilat Kombet e Bashkuara i konsiderojnë të besueshme.

Presidenti Trump, për vite mbështetës i fortë i Netanyahut, ka shprehur edhe përkrahje për Katarin, ku ndodhet baza më e madhe ajrore amerikane në rajon. Katari, bashkë me Egjiptin dhe Shtetet e Bashkuara, ka udhëhequr përpjekjet për ndërmjetësim mes Izraelit dhe Hamasit.

Rubio e nisi vizitën të dielën me një gjest simbolik të mbështetjes, duke shkuar me Netanyahun te Muri Perëndimor në Jeruzalem. Ai më pas deklaroi se Jeruzalemi është “kryeqyteti i përjetshëm” i Izraelit – një qëndrim që, para mandatit të parë të Trumpit, liderët amerikanë ishin kujdesur ta shmangnin. Pikërisht Trump zhvendosi ambasadën amerikane në Jeruzalem, duke thyer praktikën ndërkombëtare.

Rubio pritet të marrë pjesë të hënën në inaugurimin e një tuneli për turistë fetarë që kalon nën lagjen palestineze Silwan. Projekti ka ngjallur shqetësime te banorët palestinezë se mund të dobësojë më tej praninë e tyre dhe madje të rrezikojë themelet e shtëpive./RadioEvropaeLirë

Shija e redaktorit

Ali Ahmeti: Dëshmia e James Rubin çmontoi propagandën kundër UÇK-së

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar pas dëshmisë së dhënë nga James Rubin në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë...

“Me zemër e mendje jam atje Komandant!”: Edi Rama përkrah...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dalë me videopërkrahje të protestës kundër Gjykatës Speciale që po zhvillohet në Hagë, nga shqiptarë anekënd botës. Rama shkroi...

Shqipëria hap 4 kapituj të rinj në negociatat me BE...

Shqipëria do të hapë më 16 shtator katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në kuadër të Konferencës së 6-të...

Të fundit nga rubrika