Kandidati i LDK-së për kryetar të Istogut, Ilir Ferati, ka zhvilluar një takim në Banjë të Istogut ku është pritur nga Xhevdet Shoshi, pronari i ONIX SPA Termal Resort.
Në postimin e tij në Facebook, Ferati e ka vlerësuar këtë qendër si një nga pikat më të rëndësishme të turizmit shëndetësor dhe relaksues në Kosovë, duke theksuar se kontributi i saj është i madh në zhvillimin turistik të komunës.
Ai theksoi se falë burimeve të pasura termale, Istogu po shndërrohet në një destinacion gjithnjë e më tërheqës si për vizitorët vendas ashtu edhe për ata të huaj, duke hapur edhe mundësi të reja punësimi.
“Bizneset janë partnerë tanë të rëndësishëm në zhvillimin e komunës,” ka shkruar Ferati, duke e cilësuar bashkëpunimin me sektorin privat si thelbësor për përparimin e Istogut.