Nait Hasani, deputet i Kuvendit të Kosovës, në një lidhje direkte në Five në RTV Dukagjini nga Haga, ka thënë se ka përcjellë nga afër dhënien e dëshmisë së James Rubinit sot në Gjykatë.
Madeleine Albright dhe Bill Clinton, sipas dëshmisë së James Rubinit, u paraqitën si figura kyçe që mbështetën hapur humanizmin dhe mbrojtjen e civilëve gjatë luftës në Kosovë. Hasani theksoi se të dy ishin të drejtpërdrejtë në qëndrimet e tyre, duke e mbështetur gjithashtu edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Hasani u shpreh se dëshmia e Rubinit ishte e drejtë, e paanshme dhe e saktë.
“…prezentoi gjendjen e kohës së luftës së Kosovës dhe ajo dëshmi ishte shumë e fuqishme në mbrojtjen e vlerave të luftës, prandaj sot James Rubin e çmontoi, e shkatërroi gjithë Prokurorinë me akuzën e tij për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Hasani.
Ai shtoi se Rubin solli fakte nga takimet që kishte pasur me Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin dhe të tjerët, si dhe foli për angazhimet e tij në Rambuje bashkë me sekretaren e atëhershme të Shtetit, Madeleine Albright. Hasani theksoi se Rubin tregoi për mbështetjen dhe kërkesat e ushtarëve të UÇK-së, të cilët kishin kërkuar ndihmë për luftën e tyre të drejtë.
Deputeti kosovar e cilësoi dëshminë e Rubinit si të drejtë dhe të saktë.
“Ishte shumë i drejtë, shumë i saktë. Ai tregoi edhe një rrethanë tjetër gjatë kohës kur ambasadori Hill kishte politika të anshme, por edhe në Rambuje ku kishte anime. Megjithatë, Rubin theksoi se Madeleine Albright dhe Bill Clinton kishin qenë të drejtpërdrejtë në formën e humanizmit, në mbrojtjen e civilëve gjatë luftës, duke mbështetur po ashtu edhe UÇK-në”, ka deklaruar Hasani.