Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka ndarë qëndrimin e drejtorit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel i cili i bëri thirrje Kosovës që të përmbahet nga veprimet për të cilat SHBA pezulloi Dialogun Strategjik me Kosovën.
“I bëj thirrje urgjente Kosovës që të përmbahet nga shënjestrimi i institucioneve shëndetësore të drejtuara nga Serbia. Veprimet shqetësuese të javës së kaluar ndikojnë negativisht te qytetarët e vetë Kosovës, shkojnë kundër detyrimeve dhe angazhimeve të saj ndaj BE-së dhe nxisin tensione në marrëdhëniet tona dypalëshe”, thuhet në postimin e Reiffenstuel.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës javën e kaluar kanë pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën pas ngritjes së shqetësimeve të SHBA lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar pa afat Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve për veprimet e qeverisë kujdestare që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar produktivisht me Kosovën në prioritetet e përbashkëta”, shkruhet në njoftimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Lidhur me vendimin e pezullimit të Dialogut Strategjik me Kosovën nga ana e SHBA-ve kanë reaguar liderë të ndryshëm opozitarë në vend.
Sipas tyre ky është një dëm i madh politik dhe diplomatik i Qeverisë në detyrë.
“Sjellja e tij ka cenuar besimin dhe partneritetin me aleatin tonë më të madh dhe më të rëndësishëm strategjik, ShBA-në, vendin që ka qenë dhe mbetet mbështetësi më i madh i lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Ky është dëmi më i madh politik, diplomatik dhe strategjik që i është shkaktuar Republikës së Kosovës në 25 vitet e lirisë së saj, duke cenuar drejtpërdrejt raportet me aleatin tonë kryesor dhe duke e vënë në pikëpyetje besueshmërinë ndërkombëtare të shtetit tonë. Për më shumë se dy dekada, marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në kanë qenë të pakontestueshme, të bazuara mbi vlera të përbashkëta të lirisë, paqes dhe demokracisë. Sot, për shkak të një qeverisjeje që ka zgjedhur konfliktin mbi bashkëpunimin dhe populizmin mbi përgjegjësinë, këto raporte po vendosen në rrezik”, thuhet në deklaratën e PDK-së.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe Qeveria në detyrë e Kosovës duke i cilësuar veprimet si të ligjshme dhe kushtetuese.
“Veprimet tona, të ligjshme dhe kushtetuese, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit me qëllim garantimin e stabilitetit të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Stabiliteti që gëzojmë sot është rezultat i natyrshëm i sundimit të ligjit dhe rendit publik. Në Kosovë kurrë nuk ka pasur më shumë sundim ligji e luftim krimi e korrupsioni në gjithë territorin e Kosovës. Në të kaluarën, stabiliteti është synuar në kurriz të sundimit të ligjit dhe rendit publik, rrjedhimisht kemi pasur stabiliteti të rrejshëm. Kjo është dëshmuar më së miri në ngjarjet dhe protestat e dhunshme të majit të vitit 2023 në të cilat individë dhe grupe kriminale nuk kursyen as pjesëtarët e KFOR-it dhe të EULEX-it në sulmet e tyre. Ndërkaq sulmi terrorist dhe paramilitar në Banjskë në shtator të po atij vitit, me përfshirjen e drejtpërdrejt të shtetit të Serbisë, e ka shpërfaqë para të gjithë botës se kush dhe ku në fakt është burimi i destabilitetit në rajon. Shprehim bindjen tonë të thellë se Republika e Kosovës është partneri më serioz i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për stabilitet, siguri dhe paqe në rajon”, ka shkruar Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë./KosovaPress