Pas 4 orëve me mbrojtjen, Rubin sot pyetet nga Prokuroria në Hagë

Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, ka nisur pesë minuta para orës 10 vazhdimin e dëshmisë para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Dje mbrojtja nisi paraqitjen e provave në gjykimin Thaçi dhe të tjerët duke thirrur dëshmitarin e parë, në këtë rast James Rubin.

Sipas përmbledhjes së Mbrojtjes të lexuar në gjykatë, dëshmitari James Rubin ka shërbyer si Ndihmës Sekretar i Shtetit i SHBA-së për Çështjet Publike dhe Zëdhënës Kryesor nga viti 1997 deri në vitin 2000.

Të hënën, Rubin dëshmoi për katër orë para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara, ku iu përgjigj pyetjeve të avokatëve të mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve.

Sot, për rreth tre orë të mbetura, të drejtën për ta pyetur do ta ketë Prokuroria Speciale, ndërsa eventualisht edhe gjykatësit.

Dëshmia e tij pritet të përmbyllet gjatë ditës së sotme.

Përfaqësues të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dje ishin të pranishëm në sallën e gjyqit për të shoqëruar dëshmitarin.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, James Rubin tha se forcat serbe janë munduar që të mbulojnë krimet e tyre dhe janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në.

“Qeveria serbe gjithmonë është përpjekur të fajësojë UÇK-në dhe kjo është në përputhje me mënyrën e veprimit të regjimit serb, mënyrë se si ka vepruar në atë kohë, kjo është mënyra se si ata janë përpjekur të justifikonin fajin tek të tjerët”, tha ai.

“Hashim Thaçi nuk ka pasur autoritet dhe as mundësi për të diktuar ndonjë gjë”, ka deklaruar në dëshminë e tij James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit.

Rubin, dëshmitari i parë i mbrojtjes së Hashim Thaçit, dëshmoi për disa orë në Hagë mbi njohjen, takimet dhe komunikimet me Thaçin dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Sipas Rubinit, Thaçi nuk kishte as dijen, as aftësinë dhe as pushtetin për të marrë vendime, duke hedhur dyshime mbi pretendimet e prokurorisë për një strukturë të centralizuar të UÇK-së.

Ai e përshkroi Thaçin si figurë politike dhe jo ushtarake.

Ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James Rubin, gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka mohuar se arsyeja pse Hashim Thaçi nuk e nënshkroi marrëveshjen e parë të Rambujesë lidhej me hezitimin për çarmatosjen e UÇK-së.

Rubin theksoi se pala shqiptare kërkonte garanci nga NATO për përdorimin e forcës në rast se Serbia do të vazhdonte represionin.

Ai tha se Thaçi kërkonte edhe aprovimin e Adem Demaçit, i cili sipas tij kishte kundërshtuar nënshkrimin.

Në dëshminë e tij, Rubin akuzoi diplomatin amerikan Christopher Hill përanshmëri kundër UÇK-së dhe tentativë për ta dëmtuar figurën e tij dhe të sekretares Madeleine Albright.

Po ashtu, dëshmitari theksoi se nuk ka gjetur asnjë provë që Thaçi apo Jakup Krasniqi të jenë përfshirë në vrasje apo ekzekutime dhe se akuzat e tilla shpesh ishin të fabrikuara për të cenuar marrëdhënien mes Kosovës dhe ShBA-së.

Dëshmia e tij është cilësuar nga analistët në Kosovë si një sfidë ndaj akuzave të prokurorisë, duke e paraqitur UÇK-në si një strukturë të decentralizuar dhe jo si organizatë të aftë për të planifikuar krime sistematike./EO

Shija e redaktorit

Ali Ahmeti: Dëshmia e James Rubin çmontoi propagandën kundër UÇK-së

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar pas dëshmisë së dhënë nga James Rubin në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë...

“Me zemër e mendje jam atje Komandant!”: Edi Rama përkrah...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dalë me videopërkrahje të protestës kundër Gjykatës Speciale që po zhvillohet në Hagë, nga shqiptarë anekënd botës. Rama shkroi...

Shqipëria hap 4 kapituj të rinj në negociatat me BE...

Shqipëria do të hapë më 16 shtator katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në kuadër të Konferencës së 6-të...

Të fundit nga rubrika