Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur tha se Serbia po vazhdon të pengojë procesin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe se po kërkon të rishikojë termat e referencës të dakorduara në dhjetor të vitit 2024.
Në një intervistë për Ekonomia Online tha se institucionet e Kosovës kanë trajtuar vazhdimisht çështjen e të pagjeturve si një prioritet dhe se Serbia po e politizon këtë temë.
“Ajo që mund të thuhet është fakti që institucionet e Kosovës, Komisioni qeveritar, delegacioni i Kosovës dhe gjitha institucionet e shtetit, në vazhdimësi kanë adresuar çështjen e personave të zhdukur si çështje prioritare. Pashmangshëm pothuajse në të gjitha takimet e edhe të nivelit dialogues, por edhe trajtimet e tjera të nivelit të lartë. Edhe në takimin e fundit pashmangshëm një nga çështjet e adresuara me shumë prioritet mbetet çështja e personave të zhdukur, ka thënë ai.
“Serbia jo që nuk ka vepruar në kuptim të zbatimit të deklaratës apo edhe të funksionalizimit të funksionit të përbashkët siç parashihej në deklaratë. Përkundrazi, ka kërkuar mundësinë e rishikimit të termave të referencës që kanë hyrë në fuqi qysh në dhjetor të vitit 2024”, tha shtuar Gara.
Ai theksoi se Serbia po vonon procesin dhe po sfidon rëndë familjet e personave të zhdukur.
“Ndërlidhen me prolongim ose përpjekje të Serbisë për moszbatim të deklaratës së përbashkët, pra për mosadresim të zotimeve, në këtë rast rrjedhimisht i bie përmes këtij politizimi Serbia vazhdon vonesat, qoftë në ofrimin e informatave nga arkivat e tyre, vazhdon me mosgatishmëri për të vënë në dispozicion të procesit të dhënave nga arkivat e tyre dhe vazhdon në këtë rast për gatishmërinë për të lejuar gërmimet në lokacionet e shënuara me shumë prioritet, si në rastin e Batanjicës dhe lokacionet tjera, që pashmangshëm në këtë rast sfidon dhe rëndon procesin e mbi të gjitha për vetë familjet dhe familjarët e personave të zhdukur”, tha ai.
Komisioni për të pagjeturit është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2023, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Më 17 dhjetor 2024, Kosova dhe Serbia u pajtuan që ta zbatonin këtë deklaratë.