Dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit në magjistralen Pejë–Prishtinë, në fshatin Zajm të Klinës.
Policia e Kosovës njofton se aksidenti ka ndodhur rreth orës 05:00, ku janë përfshirë një kamion, një kombi dhe një veturë me targa vendore.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor, ekipi i emergjencës dhe zjarrfikësit.
Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e dy personave në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të lënduarit janë dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, i cili po ashtu ka qenë prezent në vendin e aksidentit, trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.