Të mërkurën është zhvilluar një operacion policor në rajonin e Prishtinës dhe Pejës, me urdhër të lëshuar nga Gjykata Themelore në kryeqytet dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale.
Sipas Prokurorisë, ky aksion i koduar me emrin “Qielli i Thyer”, është realizuar në 25 lokacione të ndryshme, ku si rezultat janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për përfshirje në vepra penale: pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave.
Ndryshe, gjatë kontrollit në këto lokacione janë sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë: 638 gramë substancë narkotike e dyshuar si kokainë; Një peshore për matjen e lëndëve narkotike; 11 mijë e 65 euro para të gatshme; 34 automjete; Shtatë armë zjarri; Dokumente personale me identitet të rremë; Pajisje elektronike; Dokumentacion i ndryshëm pronësor dhe financiar.