Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të organizimit të maratonës ndërkombëtare “Prishtina 2025, do të bllokohen disa rrugë të kryeqytetit.
Në njoftimin e policisë thuhet se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura policore për të ofruar siguri për të gjithë pjesëmarrësit si dhe janë ndërmarrë masat e nevojshme për të përcaktuar lirimet, kufizimet, bllokimet e plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara rrugore, me qëllim të rregullimit të qarkullimit rrugor dhe drejtimit të trafikut, në mënyrë që të krijohet rrjedhshmëri normale në trafik, transmeton Dukagjini.
“Policia e Kosovës, do të ndërpres qarkullimin e automjeteve rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë në drejtim të Pejës dhe anasjelltas, deri te nyja (kyçja në autostradën Ibrahim Rugova). Plani do të filloj të zbatohet të dielën (28.09.2025), duke filluar nga ora 09:00 deri në përfundim të maratonës”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, në njoftim thuhet se për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, Policia ka kërkuar ndihmën, besimin dhe mirëkuptimin e gjithë qytetarëve dhe veçanërisht lusin qytetarët të ndjekin udhëzimet e poshtë shënuara.
Ngasësit që udhëtojnë nga Peja në Prishtinë → të përdorin rrugën përmes: Sllatinës – fsh. Magurë – Lipjan → pastaj lidhen me rrugën nacionale Ferizaj – Prishtinë.
Ngasësit që udhëtojnë nga Peja në Fushë Kosovë → të përdorin rrugën përmes: Sllatinës – Bardh i Vogël – fsh. Kuzmin – Fushë Kosovë.
Ngasësit që udhëtojnë nga Prishtina ose Veterniku drejt Pejës/Aeroportit → rruga: Prishtinë – Lipjan – Rufc i Ri – Poturoc – Magurë – Aeroport.
Ngasësit që udhëtojnë nga Mitrovica drejt Pejës ose Aeroportit → të shfrytëzojnë autostradën prej Mazgitit në drejtim të Shkupit, të dalin në Lipjan, pastaj: Rufc i Ri – Poturoc – Magurë – Aeroport.
Ngasësit që udhëtojnë nga Mitrovica drejt Ferizajt → do të kenë lëvizje të lirë në rrugën nacionale, pa ndalesa.
Transporti publik (autobusët) në relacione Prishtinë – Fushë Kosovë – Aeroport dhe në drejtim të Pejës → nuk duhet të qarkullojë në këtë rrugë gjatë kohës së garës, por të përdorë rrugët alternative të përmendura më sipër.