Kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu, njëherësh kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për mandatin e radhës, ka prezantuar para qytetarëve rezultatet e qeverisjes së tij dhe programin për katër vitet e ardhshme.
Shehu tha se gjatë mandatit të parë janë realizuar mbi 90% e premtimeve të dhëna, me investime kapitale mbi 11 milionë euro dhe rreth 400 mijë euro subvencione.
Ai theksoi se janë finalizuar 49 projekte konkrete, prej të cilave 35 kanë qenë premtime elektorale, duke e cilësuar këtë si rekordin më të madh të arritur në historinë e komunës së Junikut.
“Të dashur junikas,
Në mandatin e parë kemi realizuar mbi 90% të premtimeve. Pra fjalët tona sot, janë garancion për Junikun nesër. Këtë nuk e themi ne, por qytetarët e Junikut, veprat që shihen dhe preken si dhe të gjitha organizatat që e kanë bërë matjen e realizimit të premtimeve tona.
Gjithsej mbi 11 milion euro investime në projekte kapitale dhe rreth 400,000.00 euro subvencione për katër (4) vite të qeverisjes. Në një komunë të vogël si Juniku, ky është rekordi i punëve të realizuara për një mandat që nga themelimi i Junikut si komunë.
Rezultati: 49 projekte konkrete të realizuara (prej tyre 35 premtime elektorale) që nuk kanë ekzistuar para 4 viteve por që sot i gëzojnë junikasit.
Për mandatin e dytë, po prezantojmë para juve programin qeverisës 2025-2029 me 31 premtime dhe projekte të cilat kapin shumën e investimit mbi 13 milion euro, 400,000.00 euro subvencione si dhe parku solar me një investim afër 42 milion euro që do të vendos Junikun në qendër të hartës energjetike të Kosovës.
LDK në Junik është oferta e vetme politike me program serioz dhe projekte konkrete të cilat i prezantojmë dhe i premtojmë para votuesve në Junik. Kundërshtarët politik nuk kanë fare program politik, prandaj shërbehen me shpifje, me fyerje dhe me akuza personale. Mirëpo junikasit kanë kulturë dhe kanë kriter. Ata e vlerësojnë punën dhe jo shpifjet. Juniku nuk i pranon ata që mashtruan për 12 vite. Nuk i pranojnë as ata që pozitën e Kryetarit të Komunës e shohin si punë praktike për të krijuar përvojën e parë të punës në institucione.
Më poshtë gjeni linkun e faqes zyrtare të Programit tonë Qeverisës 2026-2029.
www.ruzhdishehu.com“, ka shkruar Shehu në Facebook.