Irani dhe Rusia kanë nënshkruar një marrëveshje në vlerë prej 25 miliardë dollarësh për ndërtimin e centraleve bërthamore në Republikën Islamike, raportoi media shtetërore iraniane më 26 shtator.
Ky njoftim vjen para se të rivendosen sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit.
“Një marrëveshje për ndërtimin e katër centraleve bërthamore në vlerë prej 25 miliardë dollarësh në Sirik, Hormozgan është nënshkruar mes kompanisë së Iranit, Hormoz dhe Rosatom-it”, tha televizioni shtetëror.
Irani ka vetëm një central funksional me energji bërthamore në Bushehr, i cili ka kapacitet prej 1.000 megavatësh – duke mbuluar vetëm një pjesë shumë të vogël të nevojave të shtetit për energji.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, IRNA, çdo centrali i ri që do të ndërtohet do të ketë kapacitet prej 1.225 megavatësh, edhe pse nuk është dhënë ndonjë afat kohor se kur do të ndërtohen.
Kjo lëvizje vjen në kohën kur priten të rivendosen sanksionet e OKB-së. Shtetet evropiane, që ishin nënshkruese të marrëveshjes bërthamore me Iranin të vitit 2015 kanë aktivizuar mekanizmin për rivendosjen e sanksioneve. Ato priten të rivendosen të shtunën.
Britania, Franca dhe Gjermania aktivizuan mekanizmin për rivendosjen e sanksioneve muajin e kaluar, duke e akuzuar Iranin se ka shkelur zotimet e marrëveshjes.
Shtetet perëndimore e akuzojnë Iranin se po synon të ketë armë bërthamore, por Teherani vazhdimisht mohon këtë akuzë, duke thënë se ka të drejtë që të ketë program bërthamor për qëllime civile.
SHBA-ja ishte tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin më 2018 dhe kishte rivendosur sanksionet dhe më pas Teherani nisi që të shkelte pikat e marrëveshjes./REL