Irani pritet të përballet me sanksione e Kombeve të Bashkuara, të cilat do të vendosen mbrëmjen e 27 shtatorit.
Kjo do të jetë hera e parë pas një dekade që Republika Islamike përballet me sanksionet e OKB-së, pasi bisedimet me Perëndimin kanë dështuar.
Sanksionet do të vendosin një ndalesë globale për bashkëpunim me kompani, individë dhe organizata të akuzuara për zhvillimin e programit bërthamor apo të raketave balistike të Iranit, raportojnë autoritetet.
Sanksionet e OKB-së ndaj Iranit do të përfshijnë:
- ndalimin e eksportimit të armëve
- ndalimin e pasurimit të uraniumit
- ndalimin e aktiviteteve të lidhur me raketat balistike të afta të transportojnë armë bërthamore
- ngrirje të aseteve dhe një ndalim udhëtimi për figurat dhe subjektet iraniane
- autorizimi i vendeve për të inspektuar ngarkesat e Iran Air dhe Iran Shipping Lines
Një ditë më parë, agjencia për mbikëqyrjen bërthamore bëri të ditur se inspektorët e saj ishin lejuar të hynin në uzinat iraniane, por fuqitë perëndimore nuk e konsideruan këtë një përparim të mjaftueshëm për të shtyrë rivendosjen e sanksioneve.
Fuqitë evropiane, një muaj më parë, aktivizuan mekanizmin që mundëson rivendosjen e sanksioneve të OKB-së, duke e akuzuar Iranin se ka dështuar të jetë transparent në lidhje me programin e tij bërthamor, përfshirë kundërmasat e marra në përgjigje të bombardimeve izraelite dhe amerikane në qershor.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, deklaroi se nuk ka arsye për të arritur një marrëveshje, ku sipas tij, Izraeli dhe SHBA-ja po përpiqen të përdorin presion për të rrëzuar Republikën Islamike.
“Nëse qëllimi do të ishte adresimi i shqetësimeve për programin bërthamor, ne do të mund ta bënim këtë me lehtësi,” tha Pezeshkian për mediat, duke përsëritur se Irani kurrë nuk do të kërkojë të pajiset me armë bërthamore.
Pezeshkian u takua gjatë kësaj jave me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe tha se Franca kishte propozuar që Irani të dorëzonte stoqet me uranium të pasuruar në nivel të lartë, në këmbim të shtyrjes së sanksioneve për një muaj.
“Pse ta vendosim veten në një kurth të tillë, ku çdo muaj do ta kishim lakun përreth fytit?”, deklaroi ai.
Presidenti iranian gjithashtu akuzoi SHBA-në për ushtrim presioni ndaj vendeve evropiane, me qëllim që të mos arrihet një kompromis.
Ndërkohë, i dërguari amerikan, Steve Witkoff, u shpreh se SHBA-ja nuk synon ta dëmtojë Iranin dhe është e hapur për bisedime të mëtejshme.
Megjithatë, Pezeshkian e akuzoi Witkoff-in për mungesë serioziteti, duke thënë se ai ishte tërhequr nga marrëveshjet në bisedimet e mëparshme, të cilat u ndërprenë kur Izraeli nisi fushatën ushtarake kundër Iranit në qershor.
Rusia dhe Kina tentuan të premten, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, të shtynin vendosjen e sanksioneve deri në prill, por nuk arritën të siguronin votat e nevojshme.