Mungesa e kornizës së qartë ligjore, mungesa e kontrollit efektiv dhe koordinimit institucional, ka lejuar prerje ilegale, uzurpime dhe dëmtime në zonat e mbrojtura, në Parqet Kombëtare “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Sharri”.
Raporti “Mbrojtja, zhvillimi dhe ripërtëritja e hapësirave pyjore”, me të cilin Zyra Kombëtare e Auditimit e ka mbuluar periudhën 2020-2024, paraqet të dhëna shqetësuese.
Në raportin 48 faqësh, ZKA ka konstatuar se në Parkun Kombëtarë “Sharri” nga 54 mijë hektarë sipërfaqe, 38 mijë hektarë nuk mbikëqyren nga rojet e pyllit.
“Drejtoria përkatëse ka të mbuluar me roje të pyllit vetëm rreth 30% të territorit të saj, duke lënë pjesën më të madhe të sipërfaqes pa mbikëqyrje të rregullt. Gjendje më e rëndë paraqitet në komunat e Dragashit, Shtërpcës dhe Kaçanikut ku rreth 70% e territorit nuk është fare e mbuluar me roje pylli. Kjo ka ndikuar që në këto territore të paraqitet gjendja e rëndë për shkak të prerjeve ilegale si pasoj e mungesës së rojeve. Në mungesë të rojeve të pyllit AMMK çdo vit angazhon praktikant me kontrata të përkohshme, por sipas drejtorisë së Parkut, kjo zgjidhje nuk ka dhënë rezultate e pritura në ruajtjen dhe mbrojtjen e pyjeve.” – Raporti i ZKA-së
Pos mungesës së rojeve të pyllit në 70% të sipërfaqes së Sharrit, raporti tregon edhe përmasat e ndërtimit të egër në “Bjeshkët e Nemuna”, dhe jo vetëm.
“…në Parkun Kombëtarë “Bjeshkët e Nemuna” numri i ndërtimeve pa leje është dyfishuar – për periudhën 2010 deri 2024, nga rreth 2,900 në vitin 2010 në mbi 6,000 në regjistrimet e fundit të vitit 2024. Në bazë të vlerësimit të Institutit Pyjor të Kosovës rreth 3% e sipërfaqes pyjore brenda këtyre parqeve është e prekur nga sëmundje dhe dëmtues të pyjeve, të cilat nuk po trajtohen për shkak të mungesës së koordinimit ndërinstitucional dhe mungesës së masave të duhura të reagimit…” – Raporti i ZKA-së
Sipas ZKA-së, Agjencia Pyjore për më shumë se 20 vjet e nuk ka trajtuar çështjen e pronave që i ka në menaxhim – me rreth 500 prona me emërtime të ndryshme që ende nuk janë unifikuar dhe verifikuar.
Gjithashtu auditimi ka evidentuar se në procesin e qiradhënies së pronave publike ka vonesa deri në 38 muaj si dhe janë bërë shumë shkelje nga qiramarrësit.
Ministria e Bujqësisë, Ministria e Mjedisit, Agjencia Pyjore dhe ajo për Mbrojtjen e mjedisit janë pajtuar me të gjeturat e raporti dhe janë zotuar se do t’i adresojnë 11 rekomandimet e dhëna.