Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar vendosjen e trupave në qytetin e Portlandit, Oregon, duke e përshkruar atë si një “qytet të shkatërruar nga lufta” dhe duke autorizuar përdorimin e “forcës së plotë” në rast nevoje.
Përmes një postimi në platformën Truth Social, Trump bëri të ditur se ka udhëzuar Sekretarin e Luftës, Pete Hegseth, të vendosë të gjitha trupat e nevojshme për të mbrojtur qytetin dhe objektet e Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave (ICE), të cilat sipas tij janë nën rrethim nga “Antifa dhe terroristë të tjerë vendas”.
Megjithatë, Trump nuk ka sqaruar nëse urdhri i tij nënkupton aktivizimin e Gardës Kombëtare apo përdorimin e forcave të rregullta ushtarake, ndërsa mbetet e paqartë se çfarë përfshin termi “Forca e Plotë”.
Ky zhvillim vjen pasi më herët gjatë javës, presidenti kishte nënshkruar një urdhër që e përcakton Antifa-n si organizatë terroriste vendase.