Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.B., i cili ndodhet në paraburgim nga data 11 gusht 2025, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”.
Sipas aktakuzës, më 10 gusht 2025, në lagjen “Tusus” në rrugën “Lapidari” të Prizrenit, pas një përleshjeje të organizuar mes qenve, i pandehuri e ka ndjekur viktimën H.Sh. dhe e ka sulmuar me thikë, duke e goditur tri herë në pjesë të ndryshme të trupit.
Nga lëndimet e marra viktima ka humbur jetën si pasojë e gjakderdhjes së brendshme.
“Sipas aktakuzës, me datë 10.08.2025, rreth orës 20:30min, në lagjen “Tusus”, në rrugën “Lapidari” në Prizren, i pandehuri E.B., me dashje dhe në mënyrë dinake duke shfrytëzuar besimin e viktimës H.Sh., të njëjtin e privon nga jeta. Ngjarja ka ndodhur pas organizimit të një përleshjeje mes qenve, ku pas përfundimit të saj, viktima ishte duke u larguar nga vendi i ngjarjes. I pandehuri e ka ndjekur atë dhe më pas, duke përdorur një mjet të mprehtë – thikë, e ka sulmuar papritur viktimën duke e goditur tri herë në pjesë të ndryshme të trupit. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore të autopsisë të datës 22.09.2025, lëndimet kanë shkaktuar gjakderdhje të brendshme të rëndë në regjionin e majtë të kraharorit, e cila ka rezultuar me vdekjen e viktimës”, thuhet në njoftim.
Prokuroria ka bërë të ditur se arma e përdorur – një thikë me teh 10 cm dhe dorezë 12 cm – është mbajtur pa leje nga i pandehuri.
Ndërkohë, sa i përket veprës penale “Keqtrajtimi i kafshëve dhe ndotja e ushqimit dhe e ujit të shtazëve” nga neni 346 i KPRK-së, rasti është duke u trajtuar nga Departamenti i Përgjithshëm, në kuadër të procedurave hetimore përkatëse, ndaj dy të dyshuarve tjerë, të cilët kanë organizuar luftën me qen.
Prokuroria ka propozuar që i akuzuari E.B., pas shqyrtimit gjyqësor, të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.