Analisti politik Visar Ymeri ka reaguar ndaj qëndrimeve të fundit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke i cilësuar ato si kontradiktore dhe të rrezikshme për interesat strategjike të Kosovës.
Në Facebook, Ymeri vë në pikëpyetje deklaratat e Kurtit se lidhja e ngushtë e Serbisë me Rusinë nuk përbën problem për Kosovën dhe rajonin, ndërkohë që ai ka shfaqur mospajtime me Shtetet e Bashkuara për zhvillimet në veri të vendit.
Ai e cilëson Serbinë e lidhur me Rusinë si një shtet të fuqizuar ushtarakisht, autoritar brenda vetes dhe të rrezikshëm për secilin në rajon, duke përmendur ndikimin destabilizues të Beogradit në Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.
“Si nuk qenka problem yni edhe largimi i Serbisë nga Rusia? A nuk është ndikimi rus në Evropë dhe rajon rrezikim i përgjithshëm i sigurisë, demokracisë e progresit? Një Serbi e lidhur ngushtë me Rusinë është një Serbi e fuqizuar ushtarakisht, autoritare përsëbrendshmi dhe e rrezikshme për secilin në rajon. Madje edhe e nxitur për tensionim të vazhdueshëm në Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni të Veriut. Për Albin Kurtin këto nuk qenkan problem i tij. Si bëhet që siguria e Kosovës nuk qenka problem i Albin Kurtit?”, shkruan Ymeri.
Sipas Ymerit, me këto qëndrime Kurti po relativizon sigurinë e Kosovës, duke mos reaguar ndaj orientimit të Serbisë kah Moska.
Në vijim, ai ndalet edhe te raportet me SHBA-të, duke komentuar deklaratat e Kurtit para studentëve, se Shtetet e Bashkuara nuk pajtohen me mënyrën se si Qeveria po vendos rend dhe ligj në veri.
“Në anën tjetër u paska thënë studentëve që ShBA kundërshton vendosjen e rendit dhe të ligjit në veri dhe për këtë kemi mospajtime (të cilat realisht janë sanksione nga ShBA ndaj Kurtit). Problemi i dytë ky: Kurti po thotë që ShBA e përkrahin krimin në veri meqë e sanksionojnë Kosovën kur e lufton atë. Sëkëndejmi nuk qenka problem (i Kurtit) ndikimi rus në Serbi, por ndikimi amerikan në Kosovë.
A është duke e ditur Kurti se çka po flet? Apo thjeshtë është freestyling (çka t’i bjen në mend qatypërqaty). Po shpresoj që përnjëmend nuk po e din. Po shpresoj që këto qëndrime janë të rastësishme”, ka shkruar tutje ai.