Kandidati i LDK-së për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, ka ndarë një pjesë të debatit të tij në Kallxo.com, duke ftuar qytetarët të ndjekin diskutimin për zgjedhjet e 12 tetorit.
Në postimin e tij në Facebook, Shehu ka theksuar se dallimi mes tij dhe kundërkandidatëve qëndron tek programi dhe serioziteti në qeverisje.
“Ne kemi program politik, ata jo. Ne kemi dëshmuar se i mbajmë premtimet dhe ata jo. Ne kemi vizion, përvojë, përkushtim, transparencë. Ne qeverisim me ndershmëri dhe duar të pastra. Transformimi i Junikut nuk mund të mbetet në gjysmë. Vazhdojmë +4”, ka shkruar ai.
Në videoparaqitje, Shehu ka përmendur disa nga punët e kryera gjatë mandatit të tij:
“Vitet e fundit Juniku ka pësuar një ndryshim të madh. Janë asfaltuar rrugët kryesore Junik–Gjuravicë, Junik–Restovicë, po vazhdojmë me punimet në unazën e qytetit, kemi ndërtuar parqe, ndriçim publik smart, si dhe kemi hartuar planin master për bjeshkët e Junikut”, ka thënë ndër të tjera ai.
Shehu ka theksuar se përkushtimi i tij mbetet vazhdimi i transformimit të komunës me projekte konkrete që ndikojnë në jetën e qytetarëve.