Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, në një debat në Debat Plus në RTV Dukagjini i është përgjigjur deklaratave të kryetarit të Prizrenit, njëherësh kandidatit të PDK-së, Shaqir Totaj, i cili kishte thënë se Çeku ishte larguar nga Prizreni për t’iu shmangur përballjes me të.
“Unë këtë deklaratë nuk e kam dëgjuar si video, por ma kanë thënë të tjerët… Njeriu kur frikësohet shkon në një betejë më të lehtë, jo në betejën më të madhe të këtyre zgjedhjeve komunale. Dhe e dyta, është mirë të na kallxojë z. Totaj pse nuk po ballafaqohet me Artan Abrashin atje, sepse është duke e shmangur debatin me të”, u shpreh Çeku.
Ai theksoi se kandidimi i tij për kryetar të Prishtinës është rezultat i një angazhimi të gjatë politik dhe shoqëror.
“Ky mandat i fundit, sipas gjykimit tim, është mandati me performancën më të dobët në historinë e pasluftës në Prishtinë. Definitivisht më i dobët se sa ai i Shpend Ahmetit, sidomos në krahasim me mandatin e parë të tij, dhe veçanërisht në raport me nivelin e premtimeve që kishte bërë kryetari aktual në vitin 2021”, tha ai.
Çeku shtoi se përvoja e tij si ministër, deputet dhe aktivist në shoqërinë civile e bën atë një prej kandidatëve seriozë për të udhëhequr kryeqytetin.
“Kam qenë gjithmonë i angazhuar drejtpërdrejt me çështjet e komunitetit dhe të qytetarëve. Sfida për ta udhëhequr Prishtinën është një sfidë e brendësuar tek unë edhe gjatë kohës kur kam qenë jashtë politikës. Kjo më pozicionon si kandidatin të cilit duhet t’i besohet udhëheqja e Prishtinës”, deklaroi Çeku.