Mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq tha se dëshmitari James Peter Covey i cili ka shërbyer në Kosovës si zëvendës i Bernard Kouchnerit, do të tregojë për rolin që ka pasur Thaçi gjatë asaj kohe.
“James Peter Covey ka shërbyer në Kosovë si zëvendësi kryesor i përfaqësuesit të posaçëm të sekretarit të përgjithshëm, Bernard Kouchner nga periudha 15 korrik 1999 deri në janar 2001. Në këtë rol, zoti Covey ka luajt një rol shumë të rëndësishëm për zbatimin e mandatit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë që njihet ndryshe si UNMIK sipas Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244 në Kosovë dhe ka punuar ngushtë me përfaqësues në Kosovë, aktorë të ndryshëm dhe me figura politike në Kosovë duke përfshirë këtu edhe zotin Hashim Thaçin”, tha Mishetiq.
Ai tha se Covey ka dhënë prova lidhur me rolin e Thaçit dhe bashkëpunimin që e ka pasur ai me UNMIK-un në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ai (Covey) ka dhënë prova lidhur me rolin e zotit Thaçi dhe punën që ka bërë ai në bashkëpunim me UNMIK-un për të ndihmuar për stabilizimin e Kosovës duke folur kundër akteve të dhunës, duke bërë thirrje për tolerancë, duke bërë demilitarizimin e UÇK-së dhe duke mbështetur Shërbimin Policor të Kosovës dhe Forcave Mbrojtëse të Kosovës, duke marrë pjesë në përpjekje për të përfshirë pjesëmarrjen lokale në qeverisje përmes Këshillit të Përkohshme të Kosovës dhe Strukturave të Administratës së Përkohshme”, tha avokati.
Përveç kësaj, Mishetiq tha se Covey do të tregojë se Thaçi nuk ka pasur autoritet real mbi UÇK-në.
“Konstatimet e kanë bërë atë që të arrijë në përfundimin që Thaçi nuk ka pasur autoritet real mbi UÇK-në dhe nuk ka qenë në pozicion që të organizojë ose ndalojë dhunën që ka ndodhur gjatë verës së vitit 1999 dhe se roli dhe ambiciet e Thaçit ishin të një politikani që ka treguar që ka qenë i aftë për të punuar me UNMIK-un dhe i aftë për të gjetur kompromis”, tha Mishetiq.
Fillon dëshminë dëshmitari James Peter Covey në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të martën ka filluar dëshminë dëshmitari i katërt i mbrojtjes, James Peter Covey, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Covey ishte zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Vetë dëshmitari tha se njihet edhe si Jock Covey.
Ky dëshmitar e mban kodin 1DW004 në këtë proces gjyqësor dhe sipas trupit gjykues, dëshmia e tij pritet të zgjasë dy deri në tre ditë. Covey është dëshmitar i thirrur nga mbrojtja e Thaçit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas trupit gjykues, mbrojtja e Thaçit ka llogaritur se i duhen katër orë për ta marrë ne pyetje këtë dëshmitar. Ndërsa, sipas tij, tre ekipet tjera mbrojtëse kanë vlerësuar se iu duhen gjysmë ore. Ndërkaq, Prokuroria ka parashtruar se i duhen pesë orë për kundërpyetje.
Prokuroria kishte kërkuar që të shtyhet marrja në pyetje e këtij dëshmitari nga të gjitha palët deri më 1 tetor 2025. Ndërsa, mbrojtja e kundërshtoi një gjë të tillë duke thënë se janë me vonesë dhe se janë të ditura arsyet se pse nuk filloi dëshminë ky dëshmitar të hënën më 29 shtator 2025.
Mirëpo, Mishetiq tha se nuk kundërshtojnë që prokurori pyetjet e veta t’i fillojë nesër me kushtin që të përfundohet me këtë dëshmitar deri në fund të javës.
Trupi gjykues tha se nuk ka pasur vonesë të madhe në nxjerrjen e materialeve nga ana e mbrojtjes për këtë dëshmitar. Si rrjedhojë, pranoi kërkesën e Prokurorisë që ajo ta marrë nesër në pyetje këtë dëshmitar.
Gjatë kësaj kohe u pranua në prova materiale një pjesë e dokumentarit të BBC-së, i cili fliste për luftën e Kosovës dhe ndërhyrjen e NATO-s. Sipas trupit gjykues, ky dokumentar pasqyron rolin e Thaçit gjatë konferencës së Rambujesë.
Ndryshe, në këtë seancë u mor vendim që të pranohet në prova, raportin i IMO-s në çështjen e Salih Mustafës lidhur me dëmin që iu është shkaktuar viktimave përkatëse.
Vlen të theksohet se katër të akuzuarit janë prezent fizikisht në sallën e gjyqit.
Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.
Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.
Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë
DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht./BetimipërDrejtësi